Uji në Gostivar pastrohet nga ndotja

featured
Press Online
27 Korrik 2026, 17:32

Më në fund uji në Gostivar është pastruar nga ndotja fekale dhe tash mund të përdoret si ujë teknik, por jo për pije dhe për përgatitje të ushqimit.

Kjo u bë e ditur nga Komiteti Drejtues për menaxhim me kriza. Emilija Anevska nga “Ujësjellësi i Shkupit” tha se janë marrë gjashtë mostra nga konsumatorët në Gostivar dhe për tri ditë radhazi nuk janë evidentuar baktere koliforme.

Megjithatë, monitorimi do të vazhdojë deri në konfirmimin se uji është i sigurt edhe për pije.

“Dua të them se uji mund të përdoret teknikisht, por gjithsesi qytetarët të mos e përdorin për pije dhe gatim. Në ditët në vazhdim do ta rrisim numrin e vendeve matëse në komunën e Gostivarit dhe do ta bëjmë kontrollin themelor në përputhje me rregulloren për ujë të pijshëm. Me monitorim të vazhdueshëm do të mund të vërtetojmë se uji në ditët në vazhdim do të mund të përdoret edhe për pije”, tha Emilija Anevska nga “Ujësjellësi i Shkupit”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, u bëri apel drejtorëve të ndërmarrjeve publike dhe të gjithë personave që kanë lidhje direkte ose indirekte me cilësinë e ujit, që të veprojnë me përgjegjësi maksimale. Ai tha se shëndeti dhe siguria e qytetarëve duhet të jenë prioritet dhe se çdo përgjegjës duhet t’i zbatojë obligimet ligjore, veçanërisht në sigurimin e ujit të sigurt për pije.

“Dua t’u dërgoj një mesazh për të ardhmen të gjithë përgjegjësve në kuadër të komunave në territorin e Maqedonisë. Shpresoj që kjo të shërbejë si mësim dhe që, njëherë e përgjithmonë, në të ardhmen të veprojnë me profesionalizëm maksimal dhe në përputhje me kompetencat e tyre të përcaktuara me ligj sa i përket kontrollit të cilësisë së ujit. Sepse me shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve nuk bëhet lojë. Çdo përgjegjësi duhet të merret me seriozitetin dhe profesionalizmin më të madh, veçanërisht përgjegjësia që lidhet me ujin, qoftë ujë teknik për përdorim apo ujë për pije”, tha , Pançe Toshkovski.

Edhe nga Komuna e Gostivarit njoftuan se uji nga rrjeti i ujësjellësit tashmë mund të përdoret për qëllime teknike.
Nga Komuna thanë se falë angazhimit të institucioneve lokale dhe qendrore, si dhe të gjitha palëve të përfshira në proces, po ndërmerren masat e nevojshme për sanimin e gjendjes.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter