Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, prezantoi në Kuvend propozim-rishikimin e Buxhetit për vitin 2026, duke deklaruar se qëllimi i Qeverisë është sigurimi i fondeve shtesë për investime kapitale, bujqësi, komunat, mbrojtjen sociale dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore, informon PressOnline.al
Sipas ministres, ekonomia pritet të mbetet stabile, me rritje të investimeve, pagave dhe punësimit. Me rishikimin e propozuar, të hyrat buxhetore parashihen në 379,5 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në 425,8 miliardë denarë.
“Sigurojmë fonde shtesë për subvencione bujqësore, komunikacionin hekurudhor, mbështetjen e sportit, standardin studentor, kategoritë më të cenueshme të qytetarëve përmes shtesave sociale dhe masave për de-institucionalizim”, deklaroi Dimitrieska-Koçoska.
Ajo theksoi se prioritet do të jenë edhe projektet infrastrukturore, përfshirë zhvillimin rural, ujësjellësit, trajtimin e ujërave të zeza dhe stacionet e filtrimit.
“Më e rëndësishmja është rritja e mjeteve në shpenzimet kapitale për institucionet që kanë projekte për realizim më intensiv, si dhe për projektet infrastrukturore të komunave”, tha ministrja e Financave.
Nga LSDM-ja kritikuan propozim-rishikimin e buxhetit, duke vlerësuar se ai nuk sjell ndryshime reale për ekonominë, por vetëm rrit deficitin dhe borxhin publik.
Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, tha se Qeveria nuk ofron mbështetje të mjaftueshme për zhvillimin ekonomik, industrinë dhe sektorin privat.
“Deficiti rritet nga 39,2 miliardë në 46,2 miliardë denarë. Të hyrat tatimore, në vend që të rriten, janë ulur, ndërsa shpenzimet vazhdojnë të rriten”, deklaroi Bytyqi.
Sipas tij, deri më 23 korrik, të hyrat buxhetore kishin arritur në 195 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në 234,4 miliardë denarë, duke krijuar një deficit prej 39,4 miliardë denarësh.
Snopçe: Nuk diskutohet vetëm për shifra, por për model ekonomik
Edhe deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, kritikoi mënyrën e planifikimit të buxhetit, duke kërkuar debat më të gjerë për modelin ekonomik dhe shpërndarjen e investimeve.
Sipas tij, rishikimi i buxhetit nuk sjell reforma strukturore dhe nuk ofron masa të mjaftueshme për zhvillim.
“Kur komunat me shumicë shqiptare mbeten pa çerdhe, pa rrugë, pa kanalizime dhe pa investime të mjaftueshme kapitale, atëherë nuk kemi vetëm planifikim të dobët, kemi pabarazi të institucionalizuar”, tha Snopçe, përcjell PressOnline.al
Ai shtoi se qytetarët përballen çdo muaj me vështirësi ekonomike, ndërsa debati në Kuvend shpesh reduktohet vetëm në miliarda denarë.
Deficiti projektohet në 4,1% të PBB-së
Sipas propozim-rishikimit, deficiti buxhetor është projektuar në 46,3 miliardë denarë, ose 4,1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa rritja ekonomike parashikohet në nivelin prej 3,5%.
Debati parlamentar për rishikimin e buxhetit do të zgjasë deri në pesë ditë.
Ndërkohë, Qeveria së fundmi ka marrë hua nga disa institucione shtetërore, përfshirë M-NAV, MEPSO, Lotarinë Shtetërore dhe Ndërmarrjen për Rrugë Shtetërore, për të mbuluar nevojat financiare të shtetit. Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se këto mjete do të kthehen gjatë muajit gusht.(PressOnline.al)



