Kurti: Kosova është më e sigurt se kurrë

featured
Press Online
26 Korrik 2026, 11:00

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se Kosova është më e sigurt se kurrë e se institucionet e sigurisë kanë dëshmuar qëndrueshmëri përballë sfidave ndër vite, raporton Ekonomia Online.

Ai i bëri këto deklarata pas homazheve te memoriali i policëve të rënë në krye të detyrës, në Ditën Memoriale të policëve të rënë në detyrë.

”Bashkë me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjën Albulena Haxhiu, sot ditën e filluam me homazhe te varri i Adem Demaçit, simbolit të rezistencës, Mandelës sonë dhe Mandelës evropiane, i cili kaloi 28 vjet në burgjet e ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë dhe të cilit sot ia shënojmë tetëvjetorin e ndarjes nga jeta.

Prej aty erdhëm këtu, te memoriali i policëve të rënë në krye të detyrës, për t’i nderuar ata, bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, si dhe kolegë të tjerë nga ekzekutivi i Republikës dhe Policia e Kosovës.

Dita e sotme përkon me 15-vjetorin e vrasjes së Enver Zymberit, i cili po zbatonte ligjin e Republikës, po mbronte integritetin territorial dhe po garantonte siguri, paqe e të drejta për të gjithë, pa dallim. Mirëpo, dora kriminale e strukturave të Serbisë qëlloi për vdekje mbi të.

Që prej atëherë, Enver Zymberin e kujtojmë si hero të Kosovës, si hero të shtetësisë dhe pavarësisë sonë. Ai po zbatonte ligjin dhe, me rënien e tij, frymëzoi shumë policë të Kosovës, si ata që ishin në detyrë, ashtu edhe të tjerë që më pas iu bashkuan Policisë.

Përveç vrasjes së Enver Zymberit dhe të Afrim Bunjakut, Policia e Kosovës përjetoi një goditje të rëndë edhe më 5 nëntor 2022, kur rreth 550 policë të komunitetit serb u tërhoqën kolektivisht nga veriu i Ibrit me urdhër të Beogradit.

Megjithatë, qëllimi i tyre dështoi, pasi nuk u rrënua karakteri shumetnik i Policisë sonë dhe nuk u cenuan sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe stabiliteti institucional, siç synonin ata”, tha Kurti.

LEXO EDHE:

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter