Deri në vitin 2029 pritet të hapet pikëkalimi kufitar “Klepallo” ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Këtë e paralajmëroi dje pala bullgare, pasi në Bllagoevgrad u prezantuan rezultatet e procedurave të përfunduara mjedisore për ndërtimin e pikëkalimit nga ana bullgare.
Sipas mediave bullgare, hapi i radhës është përgatitja e projektit dhe lëshimi i lejes së ndërtimit, pas së cilës do të nisë ndërtimi i pikëkalimit.
Pritjet janë që ai të përfundojë deri në vitin 2029, afat që ishte paralajmëruar edhe rreth dy vjet më parë, kur filloi realizimi i projektit me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Megjithatë, ishte vënë në pikëpyetje nëse ky afat do të arrihej, për shkak të procedurave që duhej të përfundonin.
Zëvendësministrja bullgare për Zhvillim Rajonal dhe Punë Publike, Desislava Georgieva, deklaroi se për këtë investim janë ndarë 11 milionë euro.
“Ky investim është i rëndësishëm edhe për njerëzit në rajon, me qëllim që të afrojmë edhe më shumë komunitetet në të dy anët e kufirit, t’u mundësojmë bizneseve të krijojnë vlerë të shtuar dhe të zhvillohet turizmi. Kërkohet nga ne që sa më shpejt të fillojmë aktivitetet konkrete për ndërtimin e pikëkalimit kufitar ‘Klepallo’ dhe infrastrukturës lidhëse”, tha Georgieva.
Vendbanimet më të afërta në të dy anët e kufirit janë Berova dhe Strumjani.
“Për më shumë se 40 vjet, banorët e Sandanskit, Strumjanit dhe Kresnës kanë pritur hapjen e këtij pikëkalimi kufitar. Tani shpresoj që, pavarësisht procedurave të shumta, do të vazhdojmë dhe mbi të gjitha do ta përfundojmë këtë projekt shumë të rëndësishëm”, tha kryetari i komunës së Strumjanit, Emil Iliev.
Nga ana e Maqedonisë së Veriut, punimet kanë përfunduar, gjë që është theksuar vazhdimisht edhe nga përfaqësues të Qeverisë.
“Sa i përket ‘Klepallos’, nga ana jonë gjithçka është përfunduar. Në koordinim me institucionet përkatëse – Ministrinë e Punëve të Brendshme, Drejtorinë Doganore dhe institucionet e tjera që lidhen me pikëkalimin kufitar – nga ana jonë çdo gjë është gati. Problemi ishte në anën bullgare. Duhet të them se ish-ministri bullgar i Transportit dhe zëvendëskryeministër, Grozdan Karaxhov, e vuri në lëvizje projektin dhe besoj se me zgjedhjen e ministrit të ri ai do të realizohet plotësisht dhe do të mund të lidhemi nga të dyja anët”, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, më 17 maj.
Projekti “Klepallo” u nis në vitin 1993, por asnjëherë nuk u vu në funksion.
Zhvillimet u përshpejtuan gjatë viteve të fundit. Në tetor të vitit 2024, Drejtoria Doganore e Maqedonisë së Veriut nisi aktivitetet për realizimin e projektit të këtij pikëkalimi kufitar, me një investim prej 3,7 milionë eurosh.
Për këtë projekt janë siguruar mjete nga programi IPA III i Bashkimit Evropian për bashkëpunim ndërkufitar me Bullgarinë. Vlera e përgjithshme e grantit është 11 milionë euro, prej të cilave 85 për qind, ose 7,7 milionë euro, financohen nga BE-ja, ndërsa 15 për qind, ose 1,3 milionë euro, përbëjnë bashkëfinancim kombëtar nga të dy vendet. Gjithashtu, projekti përfshin edhe 2 milionë euro bashkëfinancim vullnetar nga palët pjesëmarrëse.



