172 mijë e 600 eurot e padeklaruara gjatë kohës sa kishte qenë Kryetar i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se kanë qenë ndihmë financiare nga familja.
Këtë deklaratë, Ahmeti e bëri në seancën gjyqësore ndaj tij të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Prokuroria nga ana tjetër propozoi që Ahmeti të dënohet me 1 vit e 6 muaj burgim dhe gjobë 5 mijë euro, si dhe t’i konfiskohet pasuria në shumën e padeklaruar apo ndonjë pasuri e barasvlershme, raporton Betimi për Drejtësi.
Ahmeti u deklarua i pafajshëm.
Në fjalën hyrëse, Prokurori special, Dren Paca, tha se aktakuza do të provohet me provat që do të administrohen. Aty, siç theksoi ai, përfshihet përgjigja zyrtare e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, formularët e deklarimit të pasurisë për periudhën 2018-2022 gjatë mandatit të Kryetarit, të dhënat e siguruara nga bankat dhe ekspertiza financiare.
Pas administrimit të këtyre provave, prokurori Paca pohoi se do të vërtetohet se i akuzuari ka deponuar mjete në shumë 172 mijë euro të cilat nuk i kishte deklaruar.
Por, mbrojtësi i Ahmetit, avokati Arbër Istrefi, tha se kundërshton në tërësi aktakuzën për arsye se, sipas tij, “nuk janë përmbushur asnjë nga elementet e parapara të veprës penale”. Istrefi pohoi se mjetet që po pretendohen se nuk janë deklaruar, janë deponime në llogari bankare nga vetë i mbrojturi i tij, “nuk kanë origjinë kriminale dhe nuk ka pasur asnjë qëllim të fshehjes së tyre”.
Ahmeti po ashtu theksoi se gjatë kësaj periudhe për të cilën akuzohet, i është nënshtruar kontrollit të plotë nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit dhe nuk ka pasur ndonjë problem apo vërejtje nga APK.
“Gjatë kësaj periudhe, unë i jam nënshtruar disa herë kontrollit të plotë nga APK, që sipas ligjit bëhet me llotari dhe përzgjidhen 20 për qind të zyrtarëve. Unë jam përzgjedhur disa herë në këtë procedurë dhe sipas Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit, në qoftë se Agjencia gjen parregullsi i shkruan zyrtarit dhe i jep afat 15 ditor që të përmirësojë deklarimin e pasurisë. Pas këtyre kontrolleve, nuk kam marrë asnjë shkresë nga Agjencia”, deklaroi Ahmeti.
Paratë që i kishte deponuar gjatë periudhës 2018-2022, Ahmeti deklaroi se ishin ndihmë financiare nga familja e tij për shpenzime të ndryshme, pasi që bashkëshortja e tij ishte e papunë në atë kohë, dhe pretendoi se asnjëherë nuk kishte qëllim fshehjen e tyre.
Ai theksoi se nuk e kishte deklaruar atë shumë, për arsye se nuk kishte menduar se është obligim. “Në rastin më të keq për mua është gabim teknik”, deklaroi Ahmeti.
Më 23 dhjetor 2025, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër Ahmeti. Aktakuza ka të bëjë me mosdeklarim të pasurisë në vlerë prej 172 mijë eurosh. Ai akuzohet se nga viti 2018, deri më 2022, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, përkatësisht duke mos deklaruar deponimet në para të gatshme, të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse.


