BE-ja vendos tri prioritete për Maqedoninë e Veriut: ndryshimet kushtetuese, sundimi i ligjit dhe politika e jashtme

featured
Press Online
23 Korrik 2026, 11:28

Tre çështje kyçe janë të rëndësishme për Maqedoninë e Veriut: obligimet e ndërmarra në vitin 2022, përkatësisht ndryshimet kushtetuese, harmonizimi me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, si dhe sundimi i ligjit. Këtë e theksoi para Këshillit Nacional për Integrime Evropiane ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, ku sot u zhvillua debat për aspektet kryesore të procesit të integrimit evropian, informon PressOnline.al

Rokas një pjesë të fjalimit të tij ia kushtoi sundimit të ligjit, për të cilin tha se është fusha kryesore mbi të cilën vlerësohet përparimi i vendit drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se disa ligje do të duhet të miratohen me konsensus.

“Është shumë e rëndësishme që partitë politike të tregojnë një qasje konstruktive në një atmosferë të mirë demokratike, me respekt të ndërsjellë, punë të palodhur dhe mirëkuptim, me qëllim që të arrihet ky konsensus për ligjet kyçe për vazhdimin e integrimit. E them këtë sepse e di, jam këtu tashmë dy vite dhe shoh se ka shumë hapësirë për diskutime, debate dhe përballje rreth shumë aspekteve të përditshmërisë së qytetarëve, por për këto ligje kyçe është e rëndësishme që, me ndihmën tonë, të arrihet konsensus”, tha Rokas.

Ai, ndër të tjera, si tema kyçe për të cilat nevojitet konsensus mes të gjithë faktorëve politikë, përmendi Kodin Zgjedhor, Kodin Penal, zyrën e Avokatit të Popullit, strategjinë për luftën kundër korrupsionit, zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Gjykatës Kushtetuese.

Rokas, në pjesën për sundimin e ligjit, përmendi edhe gjyqësorin, për të cilin tha se ka nevojë për plotësim të kapaciteteve dhe se duhet të mos ketë presione politike ndaj tij.

Pushteti dhe opozita, edhe pse gjatë debatit ishin dakord se BE-ja është një objektiv strategjik për Maqedoninë e Veriut, u përplasën se kush, sa dhe çfarë ka bërë apo nuk ka bërë që ky objektiv të arrihet.

Kryetari i Këshillit, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, e akuzoi pushtetin se, nga njëra anë deklarohet pro BE-së, por nga ana tjetër nuk ka ndërmarrë hapin përpara për realizimin e këtij qëllimi, duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese.

“Parashtrohet pyetja nëse ndalimi i qëllimshëm i rrugës evropiane nuk është një formë e grushtit të shtetit. Kur dihet se çfarë duhet të bëhet, kur asnjë kapitull nuk është hapur, ndërsa katër vende kandidate për Bashkimin Evropian kanë mbajtur konferenca ndërqeveritare brenda një dite”, tha Filipçe, përcjell PressOnline.al

Ai përsëriti qëndrimin e opozitës se është i rremë pretendimi i pushtetit se identiteti dhe gjuha maqedonase janë të rrezikuara dhe se ato janë konfirmuar me Marrëveshjen e Prespës.

Përfaqësuesit e pushtetit, nga ana tjetër, në Këshill dolën me kundërargumentin se nuk është e vërtetë se identiteti është i mbrojtur, ndërsa kryetari i Komisionit parlamentar për Çështje Evropiane, Antonio Milloshoski, e akuzoi opozitën aktuale për gjendjen në të cilën ndodhet vendi në rrugën e integrimit evropian, për shkak të pranimit të një paradoksi për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

“Një paradoks të tillë e bëri qeveria e mëparshme dhe krijoi një situatë të pakëndshme në procesin e integrimeve evropiane, që tani të kemi këtë nivel të integrimit, të futur në një situatë të vështirë, ku ndaj fqinjit lindor duhet të dorëzohet ajo që një grup njerëzish, për shkak të ruajtjes së pushtetit, e kanë marrë si obligim”, tha Milloshoski.

Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ndërkohë, vëmendjen e tij ia kushtoi agjendës së reformave dhe u bëri thirrje të gjithë deputetëve për një qasje konstruktive ndaj tyre, duke u theksuar se dallimet politike janë legjitime, por nuk duhet të bllokojnë reformat dhe të çojnë në humbjen e fondeve evropiane.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter