Barcelona vazhdon të insistojë për transferimin e Julian Alvarezit gjatë afatit kalimtar të verës, por realizimi i marrëveshjes mbetet tejet i vështirë për shkak të qëndrimit të palëkundur të Atletico Madridit.
Sipas mediumit spanjoll AS, klubi madrilen vazhdon të refuzojë çdo mundësi negociatash me Barcelonën, duke e konsideruar sulmuesin argjentinas pjesë të pandashme të projektit për sezonin e ardhshëm, transmeton Klanksova.tv.
Atletico pret që Alvarez t’i bashkohet fazës përgatitore më 10 gusht dhe të jetë në dispozicion të trajnerit Diego Simeone për edicionin e ri.
Nga ana tjetër, Barcelona nuk ka hequr dorë nga 26-vjeçari dhe synon ta mbyllë operacionin deri në fund të muajit korrik.
Megjithatë, drejtuesit katalunas nuk janë të gatshëm të presin pafundësisht dhe do ta vazhdojnë interesimin vetëm nëse ka sinjale konkrete nga vetë futbollisti.
Raportohet se Alvarez e ka shprehur publikisht dëshirën për t’u larguar nga Atletico Madridi, por kjo nuk ka ndryshuar qëndrimin e klubit spanjoll.
Barcelona beson se lojtari mund të rrisë presionin ndaj klubit për ta lehtësuar transferimin.
Sulmuesi argjentinas ka kontratë me Atletico Madridin deri në vitin 2031.
Oferta e parë e Barcelonës është refuzuar, ndërsa drejtuesit e klubit madrilen vazhdojnë të këmbëngulin se nuk kanë ndërmend ta shesin një nga lojtarët e tyre kryesorë.


