“Momenti kyç për procesin eurointegrues të vendit është 30 shtatori, kur Komisioni Evropian për herë të parë do të dalë me raport për strategjinë e re të zgjerimit”, deklaroi dje presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.
Në një intervistë për “Kanal 5”, ajo vlerësoi se ekziston një momentum i ri politik në Bashkimin Evropian, por paralajmëroi se ndryshimet kushtetuese, në vetvete, nuk janë garanci se vendi nuk do të përballet sërish me pengesa të reja në rrugën drejt anëtarësimit, duke iu referuar Protokollit të Dytë të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë, informon PressOnline.al
“Është e qartë se ne jemi të gatshëm të ecim në hap me ata që janë në prag (Mali i Zi dhe Shqipëria), prandaj nuk duan të na lënë të mbetemi prapa, në mënyrë që ta materializojmë këtë proces reformues që po e zhvillojmë”, tha presidentja.
Duke folur për garancitë që Qeveria kërkon nga BE-ja, ajo theksoi se Bashkimi Evropian disponon mekanizma përmes të cilëve mund të parandalojë bllokadat e bazuara në çështje identitare, duke penguar bilateralizimin e procesit eurointegrues.
“BE-ja ka mekanizma, opinione interpretative, përmes të cilave mund të thotë se nuk lejohet të bllokohet procesi i eurointegrimit, jo vetëm për ne, por në përgjithësi për vendet kandidate, nëse arsyet lidhen me çështje identitare dhe nuk kanë të bëjnë me kriteret për përparim dhe vlerësim në kuadër të BE-së”, tha Siljanovska-Davkova.
Ajo theksoi se burimi i bllokadave të mundshme në të ardhmen është Protokolli i Dytë ndërmjet Shkupit dhe Sofjes.
“Rruga me siguri do të hapet për një moment, por do të shfaqet një pengesë e re. Pse? Sepse duhet të eliminohet burimi i pengesave, e ai është Protokolli 2. Ai në vetvete përmban probleme të këtij lloji. Këto çështje janë futur në kornizën negociuese dhe në konkluzionet, ku debati vazhdon. Nuk mund të thuhet në një moment se jeni për debilateralizimin e procesit eurointegrues, ndërsa nga ana tjetër të toleroni bilateralizimin. Çfarë është kjo që po bën Bullgaria ndaj nesh? Prandaj ne themi – le të gjejmë një zgjidhje win-win”, deklaroi Siljanovska-Davkova, përcjell PressOnline.al
Sa i përket Bullgarisë, ajo tha se pas kontakteve të fundit me presidentin bullgar Rumen Radev, sheh hapësirë për intensifikimin e dialogut dhe për kërkimin e zgjidhjeve të përbashkëta, megjithëse takimet kanë qenë protokollare dhe jo të orientuara drejt një dialogu thelbësor.
Ndërkohë që autoritetet maqedonase presin që Bashkimi Evropian të ofrojë mekanizma që do të parandalojnë bllokada të reja mbi baza dypalëshe dhe identitare, në Bruksel po përgatitet edhe një non-paper i ri për të ardhmen e zgjerimit. Sipas TV Telma, dokumenti, pas të cilit qëndrojnë tetë shtete anëtare, ndryshe nga non-paper-i franko-gjerman për integrimin gradual, angazhohet për rregulla të qarta dhe të parashikueshme në procesin e anëtarësimit dhe kundërshton vendosjen e pengesave të reja për vendet kandidate.
Me këtë non-paper, të nënshkruar nga Austria, Italia, Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Çekia, Sllovakia dhe Greqia, kërkohet që masat mbrojtëse, marrëveshjet tranzitore dhe mekanizmat e monitorimit pas anëtarësimit të vendeve të reja të përdoren në mënyrë proporcionale, me afat të kufizuar kohor dhe të lidhen me nevoja të identifikuara në mënyrë objektive. Një nga kërkesat është edhe shmangia e pengesave të panevojshme të reja për vendet kandidate, përkatësisht që vija e finishit të mbetet e dukshme dhe e qëndrueshme.
“Vendosja e vazhdueshme e kërkesave të reja, parakushteve politike ose portave institucionale gjatë procesit do t’i demotivonte vendet kandidate, do ta minonte besueshmërinë e perspektivës evropiane dhe do ta dobësonte ndikimin e vetë Bashkimit Evropian në fqinjësinë e tij”, thuhet në dokument.
Me dokumentin kërkohet gjithashtu që metodologjia e anëtarësimit të jetë e njëjtë për të gjitha vendet dhe të mos përshtatet veçmas për secilin shtet, pasi kjo do ta komprometonte parashikueshmërinë dhe, rrjedhimisht, besueshmërinë e procesit. Po ashtu, kërkohet edhe barazi pas anëtarësimit.
Në pjesën që ka të bëjë me klauzolat mbrojtëse për anëtarët e rinj, përmenden edhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare edhe pas anëtarësimit. Megjithatë, shtetet nënshkruese të non-paper-it, ndër të cilat është edhe Greqia, theksojnë se kjo nuk do të krijojë detyrime të reja, por do të forcojë detyrimet që tashmë janë pjesë përbërëse e kushteve mbi të cilat bazohet anëtarësimi.
Në prag të strategjisë së re të Bashkimit Evropian për zgjerimin, vëmendja mbetet e përqendruar nëse Brukseli do të ofrojë mekanizma më konkretë për një proces më të parashikueshëm të anëtarësimit dhe nëse do t’i zvogëlojë mundësitë për bllokada të reja politike ndaj vendeve kandidate.
Ndërkohë, në skenën e brendshme politike është në qarkullim një propozim i ri, sipas të cilit Maqedonia mund të nisë negociatat me Bashkimin Evropian pa i zbatuar menjëherë ndryshimet kushtetuese. Në vend të garancive nga Brukseli, ideja është që vetë shteti të vendosë një “buton ndalese” nëse gjatë procesit paraqiten kushte të reja që prekin identitetin.(PressOnline.al)



