Tragjedi në Algjeri, jetimorja përfshihet nga flakët, të paktën 11 të vdekur dhe 19 të plagosur

featured
Press Online
17 Korrik 2026, 06:46

Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe 19 të tjerë janë plagosur pas një zjarri të fuqishëm që përfshiu një institucion kujdesi për fëmijë në periferi të Algjerit, bëjnë të ditur autoritetet algjeriane.

Zjarri shpërtheu gjatë natës në një qendër sociale për fëmijë në komunën Mohamadia. Shërbimet e emergjencës mbërritën në vendngjarje rreth orës 03:00 dhe nisën operacionet për shuarjen e flakëve dhe shpëtimin e personave brenda objektit.

Deri më tani nuk janë bërë të ditura shkaqet e zjarrit, ndërsa autoritetet nuk kanë specifikuar as moshën e viktimave dhe as nëse mes tyre ka fëmijë. Hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes vijojnë.

Kryeministri algjerian, Sifi Ghrieb, vizitoi disa prej të plagosurve në spitalet e Zeralda-s dhe Mustafa Basha-s në kryeqytet, ndërsa autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën.

Ngjarja ndodh në një periudhë kur Algjeria po përballet me një valë të fortë të nxehti dhe me një numër të madh zjarresh. Sipas shërbimeve të mbrojtjes civile, nga data 8 deri më 15 korrik janë regjistruar 932 vatra zjarri, prej të cilave 913 janë shuar.

Për përballimin e situatës janë angazhuar mbi 19 mijë efektivë, qindra mjete zjarrfikëse, si dhe mjete ajrore për ndërhyrje. Autoritetet algjeriane kanë deklaruar se disa prej zjarreve mund të jenë shkaktuar nga zjarrvënie e qëllimshme dhe hetimet për identifikimin e autorëve vijojnë.

 

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter