Vrapimi me stomak bosh është një praktikë e përhapur mes shumë sportistëve dhe personave që ushtrohen herët në mëngjes, me bindjen se ndihmon në djegien më të shpejtë të yndyrës, shkruan corriere.it.
Megjithatë, studimet më të fundit tregojnë se, edhe pse organizmi përdor më shumë yndyrë si burim energjie gjatë stërvitjes, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se humbet më shumë peshë në afatgjatë.
Pas 8 deri në 12 orësh agjërim gjatë natës, rezervat e glikogjenit në mëlçi janë më të ulëta, ndërsa ato në muskuj mbeten kryesisht të paprekura.
Për këtë arsye, gjatë një vrapimi me ritëm të lehtë ose mesatar, organizmi rrit përdorimin e yndyrave për të prodhuar energji, duke përmirësuar aftësinë metabolike për t’i shfrytëzuar ato si karburant.
Sipas ekspertëve, kjo metodë mund të jetë e dobishme për vrapimet e ngadalta, rigjeneruese dhe për atletët e garave të gjata, të cilët synojnë të përmirësojnë qëndrueshmërinë dhe të kursejnë rezervat e karbohidrateve gjatë garave.
Megjithatë, situata ndryshon kur stërvitja është intensive.
Në rastin e sprintit, intervaleve apo stërvitjeve me ritëm të lartë, organizmi ka nevojë për energji të menjëhershme nga karbohidratet.
Në mungesë të tyre, performanca bie, lodhja rritet dhe, në raste të caktuara, trupi mund të fillojë të përdorë edhe proteinat e muskujve për të prodhuar energji.
Studimet shkencore theksojnë gjithashtu se djegia e më shumë yndyrës gjatë stërvitjes nuk përkthehet automatikisht në humbje më të madhe të yndyrës trupore.
Humbja e peshës varet kryesisht nga deficiti total kalorik gjatë ditës dhe nga cilësia e ushqyerjes, jo vetëm nga fakti nëse stërvitja është bërë me ose pa ngrënë më parë.
Ekspertët rekomandojnë që vrapimi me stomak bosh të përdoret vetëm në situata të caktuara dhe të shmanget nga personat që vuajnë nga tensioni i ulët, marramendja ose që zhvillojnë stërvitje me intensitet të lartë.
Në fund, zgjedhja duhet të bazohet te nevojat individuale dhe lloji i stërvitjes, pasi nuk ekziston një formulë universale për humbjen e peshës apo përmirësimin e performancës sportive.





