Lideri i Lëvizjes për Republikë të Re dhe ish-deputeti, Ivon Veliçkovski, ka reaguar pas deklaratës së ministres serbe Paunoviq, duke vlerësuar se mënyra se si ajo është trajtuar në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi pasqyron një qasje selektive ndaj një çështjeje me pasoja serioze për sigurinë rajonale.
Sipas Veliçkovskit, mediat në gjuhën maqedonase e trajtuan sipërfaqësisht deklaratën e Paunoviqit se ajo “do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë gjatë luftës”, duke i kushtuar më shumë rëndësi faktit që ajo u shpall person i padëshiruar në Kosovë sesa vetë përmbajtjes së deklaratës.
Ai thekson se në Serbi reagimet institucionale erdhën vetëm pasi pati reagime nga studentët dhe funksionarët evropianë. Sipas tij, presidenti Aleksandar Vuçiq e cilësoi deklaratën si “të pamenduar”, ndërsa ministri Ivica Daçiq u përpoq ta relativizonte atë.
Veliçkovski kritikon edhe faktin se mediat maqedonase, sipas tij, e lanë në plan të dytë këtë çështje duke i dhënë përparësi thirrjes së Vuçiqit për një pranim të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, ku presidenti serb deklaroi se “nëse ecim së bashku, nuk do të ketë kufij mes Beogradit, Prishtinës dhe të gjithë të tjerëve”.
Në deklaratën e tij, ai nënvizon se askush nuk rikujtoi se pavarësia e Kosovës është garancia që ide të tilla të mos realizohen dhe se për këtë arsye njohja reciproke mbetet një kusht thelbësor për Serbinë në procesin e integrimit evropian. Po ashtu, ai përmend se masakra e Srebrenicës ndodhi në kohën kur Serbia synonte zgjerimin e kufijve të saj, ndërsa shton se Beogradi ende shmang përballjen me përgjegjësinë për politikat e ndjekura pas vitit 1986.
Sipas Veliçkovskit, përgjegjësia nuk qëndron vetëm te Serbia. Ai akuzon se funksionarët shtetërorë dhe drejtuesit e partive politike në Maqedoninë e Veriut, si nga shumica parlamentare ashtu edhe nga opozita, po e pengojnë së bashku procesin e integrimit evropian të vendit.
“Përmes kësaj vetëbllokade, ata e vendosin shtetin, kombin dhe popullin maqedonas në pozitën e mbështetësit të narrativës katërdekadëshe të Serbisë dhe të pretendimeve të saj për supremaci në Ballkan”, vlerëson ai, përcjell PressOnline.al
Veliçkovski shton se në të njëjtën frymë, sipas tij, duhet parë edhe deklarata e Paunoviqit, letra e hapur që Vuçiq u kishte dërguar liderëve evropianë disa muaj më parë, si dhe thirrja e tij e fundit për një qasje të përbashkët rajonale.
Në këtë kontekst, ai kritikon kryeministrin Hristijan Mickoski, liderin e LSDM-së Venko Filipçe, liderin e Levicës Dimitar Apasiev dhe partnerët e tyre politikë, duke pretenduar se ata nuk guxojnë të deklarojnë publikisht se Maqedonia e Veriut duhet të jetë pjesë e valës së ardhshme të zgjerimit të Bashkimit Evropian së bashku me Malin e Zi dhe Shqipërinë.
Ai argumenton se vendi mund t’i përfundojë negociatat me BE-në më shpejt se Serbia përmes një metodologjie të përshtatshme, duke theksuar se Maqedonia e Veriut nuk ka mosmarrëveshje të hapura me fqinjët, ndryshe nga Serbia, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.
Në fund, Veliçkovski vlerëson se logjika e shprehur në deklaratën e Paunoviqit përbën një paralajmërim për sigurinë rajonale dhe se fakti që ajo është pjesë e Qeverisë së Serbisë i jep kësaj retorike peshë në nivel të politikës zyrtare. Ai shton se, sipas tij, drejtuesit politikë në Maqedoninë e Veriut nuk guxojnë as të shqyrtojnë amendamentet kushtetuese që do të zhbllokonin negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.(PressOnline.al)



