SHBA-ja vendos tarifë prej 25% për shumicën e importeve nga Brazili

featured
Press Online
16 Korrik 2026, 09:42

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin një tarifë doganore prej 25% për shumicën e mallrave që importohen nga Brazili, njoftuan sot zyrtarët amerikanë.

Përfaqësuesi i SHBA-së për Tregtinë, Jamieson Greer tha se masa vjen pas një hetimi njëvjeçar, i cili, sipas autoriteteve amerikane, zbuloi se Brazili ka ndjekur praktika të padrejta tregtare.

Sipas Greer, Brazili ka ndëshkuar kompanitë amerikane të teknologjisë që nuk kanë pranuar të censurojnë përmbajtje politike; dobësuar zbatimin e masave kundër korrupsionit si dhe lejuar fermerët brazilianë, të përfitojnë nga përdorimi i tokave të shpyllëzuara në mënyrë të paligjshme, duke u dhënë atyre avantazh ndaj fermerëve amerikanë.

Ai tha se këto praktika kanë penguar punonjësit dhe prodhuesit amerikanë të kenë qasje të drejtë në tregun brazilian, i cili ka mbi 210 milionë konsumatorë.

“Veprimi i sotëm është i nevojshëm për të korrigjuar këto praktika të padrejta dhe për të siguruar që punonjësit dhe kompanitë amerikane të konkurrojnë në kushte të barabarta”, tha Greer.

Ai shtoi se negociatat e gjata me autoritetet braziliane, nuk arritën të zgjidhnin mosmarrëveshjet, por SHBA-ja mbetet e hapur për vazhdimin e bisedimeve nëse Brazili ndërmerr ndryshimet e kërkuara.

Tarifa e re pritet të hyjë në fuqi më 22 korrik. Megjithatë, disa produkte do të përjashtohen nga kjo tarifë, pasi nuk prodhohen në sasi të mjaftueshme në SHBA ose konsiderohen të rëndësishme për zinxhirët e furnizimit.

Mes tyre janë nafta dhe gazi, mishi i viçit, lëngu i portokallit dhe disa pjesë këmbimi për avionë.

Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë në janar 2025, presidenti Donald Trump ka vendosur tarifa ndaj mallrave nga dhjetëra partnerë tregtarë pa miratimin e Kongresit.

Në shkurt, Gjykata Supreme e SHBA-së i ndaloi atij vendosjen e tarifave me urdhër ekzekutiv.

Megjithatë, administrata Trump ka përdorur një dispozitë të ligjit amerikan për tregtinë të vitit 1974, e cila lejon vendosjen e tarifave kur praktikat e padrejta të një vendi tjetër dëmtojnë tregtinë amerikane.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter