Nga fillimi i korrikut në vendin tonë janë konstatuar gjithsej 10 vatra të reja të sëmundjes së lisë tek delet dhe dhitë. Sëmundja është konfirmuar nëpër ferma në vendbanimin Sasa, Komuna e Makedonska Kamenicës, në fshatin Sokolarci, Komuna e Çeshinovës – Obleshevës, fshatin Bigla, Komuna e Dellçevës, fshatrat Malinë dhe Kosevicë, Komuna e Sveti Nikoles dhe fshatin Sopot, Komuna e Kumanovës. Për momentin sipas AUV-së ka gjithsej 17 vatra të konfirmuara me mbi 2700 kafshë të infektuara. Sëmundja është konfirmuar në 15 ferma delesh dhe 2 ferma delesh dhe dhish. Vatra e parë e konfirmuar ishte në janar të këtij viti në fshatin Llopatë, Komuna e Kumanovës.
“Pas marrjes së miratimit për lokacionin për varrosjen e kafshëve, AUV do të vazhdojë me depopullimin e kafshëve në vatrat e sapokonfirmuara në Makedonska Kamenicë, Dellçevë dhe Sveti Nikole. Deri më tani, Agjencia ka depopulluar (kafshë të vrara në ferma) mbi 1.400 kafshë, dhe dje e depopulloi fermën në fshatin Sopot, komuna e Kumanovës, duke përdorur një metodë mekanike për eutanazinë e kafshëve”, njofton AUV.
Gjatë ditës së djeshme, AUV mbajti takim pune me përfaqësues të shoqatave të mbarështuesve të deleve dhe lidhjes së mbajtësve të deleve të Maqedonisë me qëllim që të njihen me situatën aktuale epidemiologjike me sëmundjen e lisë së deleve dhe dhive në Maqedoni, problemet aktuale me të cilat përballen mbarështuesit e deleve, si dhe për të prezantuar masat e ndërmarra nga Agjencia për ushqim dhe veterinari lidhur me përballjen me sëmundjen e lisë së deleve dhe dhive.
Në takim u bisedua për masat mbrojtëse dhe të kontrollit të cialt po ndërmerren nga ana e Agjencisë për përballje me sëmundjen.
Nevojitet edhe zbatimi i hulumtimit epidemiologjik në të gjitha fermat e deleve dhe dhive, në mënyrë që të kofnirmohet burimi dhe përhapja e mundshme e sëmundjes, të kryhet hulumtim klinik i fermave të deleve dhe dhive në rast dyshimi dhe marrja e detyrueshme e mostrave për testime laboratorike, asgjësimi i padëmshëm i pajisjeve që nuk mund të dezinfektohen, mbeturinave të ngurta dhe të lëngshme që dihet se janë të kontaminuara, si dhe ushqimit për kafshët, raportimi i detyrueshëm i çdo dyshimi për sëmundje ose vdekje te kafshët e ndjeshme brenda një periudhe jo më të gjatë se 24 orë nga pronarët e kafshëve ose shoqëria kompetente veterinare te veterineri zyrtar dhe ndalimi i tregtisë së produkteve me origjinë shtazore të marra nga delet dhe dhitë me origjinë nga zona e mbrojtur.
Të gjithë mbarështuesve të deleve dhe dhive në të gjithë vendin nga AUV-ja u është urdhëruar kufizimi i çdo lëvizjeje të panevojshme të njerëzve, automjeteve, pajisjeve dhe makinerive brenda dhe jashtë fermës dhe të mbajnë të dhëna për të gjithë njerëzit dhe automjetet që hyjnë dhe dalin nga ferma. Masat e biosigurisë duhet të zbatohen në çdo hyrje dhe dalje nga ferma, duke përfshirë përdorimin e veshjeve dhe këpucëve të pastra mbrojtëse të destinuara ekskluzivisht për përdorim në fermë, larjen dhe dezinfektimin e duarve para dhe pas kontaktit me kafshët, vendosjen dhe përdorimin e barrierave dezinfektuese ose dezinfektantëve në hyrje dhe dalje, si dhe pastrimin dhe dezinfektimin ose asgjësimin e padëmshëm të pajisjeve, këpucëve dhe veshjeve të përdorura.
Është sjellë edhe ndalesë për popullim të sërishëm të kafshëve në ferma ku është konfirmuar sëmundja për një periudhë prej gjashtë muajve nga data e heqjes së masave nga vendimi për masa mbrojtëse dhe kontrolluese. Këto masa zbatohen në afat prej 60 ditëve nga dita e sjelljes së vendimit.
Gjatë ditës së djeshme, në Agjencinë për ushqim dhe veterinari u mbajt takim urgjent i grupit të ekspertëve për sëmundjen e murtajës e bagëtive të vogla dhe linë e deleve dhe dhive. Në takim u prezantua gjendja epidemiologjike me sëmundjen në Maqedoni dhe rajon, u diskutuan masat aktuale të ndërmarra nga Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë për t’u përballur me vatrat, si dhe anët pozitive dhe negative të përdorimit të mundshëm të vaksinimit si metodë për përballimin e sëmundjes në Maqedoni.





