Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vijojnë të përshkallëzohen në ditën e tretë të sulmeve.
Garda Revolucionare deklaroi se ka goditur dy anije cisterna të Emirateve të Bashkuara Arabe në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa njoftoi edhe sulme ndaj objekteve ushtarake amerikane në Jordani dhe Bahrejn.
Autoritetet e Emirateve të Bashkuara e dënuan sulmin, duke bërë të ditur se një anëtar i ekuipazhit humbi jetën dhe tetë të tjerë u plagosën pas goditjes së dy cisternave.
Ndërkohë, ushtria amerikane kreu sulme ndaj objektivave iraniane. Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së, operacionet synojnë të dobësojnë aftësinë e Iranit për të kryer sulme ndaj anijeve tregtare në rajon.
Mediat iraniane raportuan shpërthime në disa qytete portuale. Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi gjithashtu rivendosjen e bllokadës detare ndaj porteve iraniane dhe vendosjen e një tarife prej 20% për të gjitha ngarkesat që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.
“Ne po rivendosim BLLOKADËN IRANIANE, të quajtur kështu sepse po ndalon vetëm anijet ose klientët e Iranit të hyjnë ose të dalin. Të gjitha vendet e tjera do të kenë përdorim të drejtë dhe të hapur të Ngushticës. SHBA-të, që nga kjo pikë e tutje, do të njihen si “RUAJTËSIT E NGUSHTICËS SË HORMUZIT”, tha Trump.
Ndërkohë, tensionet po zgjerohen edhe në rajon. Arabia Saudite dhe rebelët Huthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, kanë rifilluar shkëmbimin e sulmeve, duke shtuar frikën se konflikti mund të përfshijë edhe aktorë të tjerë në Lindjen e Mesme.





