Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës Albulena Haxhiu, ka pritur në takim Zejnulla Gashin, të cilit i ka dorëzuar dekretin për emërimin në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Haxhiu bëri të ditur se vendimi është marrë pas pranimit të propozimit dhe dokumentacionit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, si dhe pas një shqyrtimi të kujdesshëm të të gjitha materialeve, përfshirë informacionet e institucioneve kompetente të sigurisë dhe raportet e organizatave që monitoruan procesin e përzgjedhjes.
“I urova z. Gashi suksese në ushtrimin e kësaj përgjegjësie të lartë shtetërore. Funksioni i Kryeprokurorit të Shtetit është një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit kushtetues”, tha Haxhiu.
Sipas saj, duke marrë parasysh rëndësinë e funksionit dhe nevojën për funksionalizimin e plotë të institucioneve të drejtësisë, dekreti është nxjerrë në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore.
Postimi i plotë:
Sot prita në takim z. Zejnulla Gashi, të cilit i dorëzova dekretin për emërimin në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Pas pranimit të propozimit dhe dokumentacionit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, është bërë një shqyrtim i kujdesshëm dhe gjithëpërfshirës i materialeve të dorëzuara, duke përfshirë po ashtu informacionet relevante të siguruara nga institucionet kompetente të sigurisë dhe raportet e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes. Marrë parasysh rëndësinë e këtij funksioni dhe nevojën për funksionalizimin e plotë të institucioneve të drejtësisë, kam vepruar në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore.
I urova z. Gashi suksese në ushtrimin e kësaj përgjegjësie të lartë shtetërore. Funksioni i Kryeprokurorit të Shtetit është një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit kushtetues.
Beteja kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ndjekja e kriminelëve të luftës, dhunuesve dhe krimit të çfarëdo forme duhet të marrin përgjigje të prerë nga organi i akuzës.
Pres që Kryeprokurori Gashi, këtë detyrë ta ushtrojë me integritet të lartë profesional e moral, paanshmëri e guxim gjithnjë me përkushtim të lartë ndaj shtetit, qytetarëve, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë.





