Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku dhe ish-presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se nuk ka “ndonjë të arritur” që ia vlen të ndahet, raporton Ekonomia Online.
Megjithatë, ai tha se palët ishin të interesuara për marrëveshje që vendi të mos shkojë sërish në zgjedhje.
“I kemi edhe katër javë përpara për fillimin e seancës konstituive për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ende nuk kemi ndonjë konkluzion apo të arritur të cilën do të mund ta ndanim këtu me ju. Unë jam optimist”, tha Kurti.
Kurti tha se janë diskutuar disa çështje si Qeveria, Kuvendi dhe zgjedhja e presidentit.
“Kemi diskutuar edhe për qeverinë, edhe për kuvendin, kemi diskutuar edhe për presidentin për shkak se tash po koincidojnë në të njëjtën kohë. Por po e ritheksoj edhe njëherë që fokusi ynë ka qenë më shumë zhvillimet aktuale politike, orari i konstituimit të institucioneve dhe zhvillimet të cilat po ndodhin në Kosovë, në dritën e këtij rezultati që kemi pasur. Ne jemi të interesuar për marrëveshje, jemi të interesuar që mos kemi sërish zgjedhje. E kemi thënë edhe më herët që mbajtja e zgjedhjeve është veçse rimbajtje e zgjedhjeve që çon në përafërsisht ripërsëritje të rezultatit, andaj synimi ynë i përbashkët është që t’i evitojmë zgjedhjet e reja. Ekziston një gatishmëri e interesim e vullnet për këtë gjë, por natyrisht ky është vetëm se kushti i domosdoshëm, por jo edhe i mjaftueshëm për të thënë që kemi kurorëzuar me sukses. Marrëveshja që e synojmë ne natyrisht që është marrëveshje politike, sepse ne jemi subjekte politike, dhe marrëveshjen politike ne e shohim si suplement funksional të vullnetit të popullit, përkatësisht të rezultatit të zgjedhjeve”, tha Kurti.
LEXO EDHE:






