NATO publikon raportin: Shqipëria kalon pragun 2% të shpenzimeve për mbrojtjen

featured
Press Online
08 Korrik 2026, 16:28

Shqipëria ka rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen, duke arritur në 2.15 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2026, sipas raportit më të fundit të NATO-s për investimet në mbrojtje.

Shifra e re e vendos Shqipërinë mbi pragun tradicional prej 2 për qind të Aleancës, por ende larg objektivit të ri të miratuar nga NATO, që parashikon rritjen graduale të investimeve deri në 3.5 për qind të PBB-së për mbrojtjen bazë, si pjesë e angazhimit të përgjithshëm prej 5 për qind deri në vitin 2035.

Sipas të dhënave të publikuara, buxheti bazë i mbrojtjes së Shqipërisë arrin në rreth 469 milionë dollarë për vitin 2026, krahasuar me 276 milionë dollarë në vitin 2024 dhe vetëm 197 milionë dollarë në vitin 2014, duke reflektuar një rritje prej mbi 138 për qind gjatë dekadës së fundit.

Publikimi i shifrave vjen në të njëjtën kohë kur në Ankara po zhvillohet samiti i NATO-s, ku një nga temat që po diskutohet është edhe vendi pritës i samitit të ardhshëm të Aleancës.

Edhe pse në Deklaratën e Hagës ishte parashikuar që Shqipëria të mirëpresë samitin pas Turqisë, draft-deklarata e Ankarasë nuk përfshin ende një datë apo konfirmim për zhvillimin e tij në Tiranë.

Sipas burimeve, disa vende aleate kanë shprehur rezerva për faktin se Shqipëria, deri së fundmi, shpenzonte më pak se objektivat e reja të NATO-s për mbrojtjen. Pikërisht për këtë arsye, Tirana zyrtare ka shtyrë përpara rritjen e buxhetit ushtarak gjatë këtij viti.

Të dhënat e publikuara nga NATO tregojnë se Shqipëria tashmë ka kaluar nivelin 2 për qind të PBB-së, duke arritur në 2.15 për qind, ndërsa qeveria shqiptare ka bërë të ditur se synon ta çojë këtë nivel në 2.6 për qind, si pjesë e planit afatmesëm për përmbushjen e angazhimeve të Aleancës.

Në raport evidentohet se vendet evropiane të NATO-s dhe Kanadaja kanë rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje gjatë vitit 2026, ndërsa pesë aleatë pritet të arrijnë që këtë vit objektivin prej 3.5 për qind të PBB-së për mbrojtjen bazë.

Vendimi përfundimtar mbi organizimin e samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë pritet të merret në muajt në vijim, pasi Aleanca të vlerësojë jo vetëm angazhimet politike, por edhe ritmin e rritjes së investimeve në mbrojtje nga Shqipëria.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter