LSDM: Mickoski synon manipulimin e votës së diasporës, Dauti akuzon VLEN-in dhe BDI-në

featured
Press Online
08 Korrik 2026, 10:55

Debati për Kodin e ri Zgjedhor dhe mënyrën e votimit të diasporës ka nxitur reagime të forta nga opozita maqedonase dhe partitë shqiptare, të cilat akuzojnë VMRO-DPMNE-në për tentativa të manipulimit të procesit zgjedhor, shkruan PressOnline.al

LSDM ka akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE-në se nuk janë të interesuar për reforma zgjedhore, për përmirësimin e Kodit Zgjedhor dhe as për arritjen e konsensusit politik, por se synimi i tyre është manipulimi i votës së diasporës.

Sipas LSDM-së, VMRO-DPMNE-ja fillimisht pretendonte se kishte arritur marrëveshje me Levicën dhe BDI-në për Kodin e ri Zgjedhor, ndërsa tani po përpiqet t’ia transferojë përgjegjësinë LSDM-së.

“Vazhdimisht vetëm gënjeshtra dhe manipulime. Mickoski e shfuqizoi qeverinë teknike me forcë dhe pa konsensus. Pasi modeli për votim elektronik të diasporës nuk kaloi, ai tentoi të imponojë një model të ri për votim me postë, pa mekanizma kontrolli dhe pa garanci për respektimin e vullnetit të qytetarëve. Problemi është te qeveria dhe te Mickoski, i cili synon të manipulojë rreth 200 mijë vota të diasporës. Axhenda e reformave po përdoret vetëm si alibi për dështimin në përmbushjen e detyrimeve të integrimit evropian. LSDM nuk do të lejojë grabitje zgjedhore dhe do ta mbrojë votën e çdo qytetari nga çdo abuzim dhe manipulim”, thuhet në reagimin e LSDM-së, përcjell PressOnline.al

Ndërkohë, deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti, ka drejtuar akuza ndaj koalicionit VLEN dhe BDI-së, duke pretenduar se me veprimet e tyre po i shërbejnë interesave të VMRO-DPMNE-së në procesin e miratimit të Kodit të ri Zgjedhor.

Sipas saj, ndryshimet e propozuara do t’ua pamundësojnë shqiptarëve të diasporës votimin elektronik ose me postë edhe në zgjedhjet lokale, gjë që, sipas saj, mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatet zgjedhore në disa komuna me shumicë shqiptare.

“Shqiptarë të dashur, VLEN dhe BDI po bashkëpunojnë, secili në mënyrën e vet, për t’i bërë hyzmetin VMRO-së”, deklaroi Dauti.

Ajo shtoi se nënshkrimi i Kodit të ri Zgjedhor, të propozuar nga VMRO-DPMNE-ja, sipas saj, përjashton diasporën nga mundësia e votimit elektronik ose me postë edhe në zgjedhjet lokale.

“Me këtë përjashtim, VMRO-së po i krijohen kushte për fitore të ardhshme në Kërçovë, Bërvenicë dhe Butel”, u shpreh deputetja, përcjell PressOnline.al

Dauti komentoi edhe deklaratat e fundit të përfaqësuesve të VLEN-it, të cilët kanë shprehur pendesë për mbështetjen e dhënë ndaj këtij procesi.

“Sot thonë se janë bërë pishman. Por nëse LSDM dhe Levica i tërheqin amendamentet e tyre, si do ta bllokojnë Komisionin kur afati tashmë ka kaluar?”, pyeti ajo.

Sipas Dautit, zgjidhja e vetme është mbështetja e amendamenteve të dorëzuara nga Lidhja Shqiptare, të cilat synojnë të pengojnë miratimin e dispozitave që, sipas saj, kufizojnë të drejtën e votës së diasporës.

“Nuk mjafton pendesa. Më korrekte do të ishte ta pranonin gabimin dhe t’u bashkoheshin amendamenteve të Lidhjes Shqiptare, të cilat janë dorëzuar pikërisht për të bllokuar këtë Kod që e përjashton mërgatën nga votimi elektronik ose me postë edhe në zgjedhjet lokale”, deklaroi ajo.

Dauti vlerësoi se veprimet e subjekteve politike shqiptare në këtë proces janë të dëmshme për interesat e shqiptarëve dhe, sipas saj, duhet të denoncohen publikisht.(PressOnline.al)