STRASBURG, 7 korrik /ATSH-DPA/ – Parlamenti Evropian ka votuar pro për nisjen e një hetimi ndaj grupit politik të ekstremit të djathtë Evropa e Kombeve Sovrane (ESN), për dyshime se ka shkelur vlerat themelore të Bashkimit Evropian.
Vendimi u miratua sot në seancën plenare në Strasburg, me 414 vota pro, 224 kundër dhe 18 abstenime.
Grupi ESN përfshin partinë gjermane ”Alternativa për Gjermaninë” (AfD) dhe disa parti të tjera nacionaliste nga vendet anëtare të BE-së.
Hetimi do të shqyrtojë nëse grupi ka shkelur parimet bazë të Bashkimit Evropian, si demokracia, shteti i së drejtës dhe respektimi i të drejtave të njeriut.
Nëse autoriteti mbikëqyrës arrin në përfundimin se janë kryer shkelje, ESN mund të humbasë statusin si parti politike evropiane dhe, si pasojë, të mbetet pa financimin nga fondet e Bashkimit Evropian.
Sipas autoritetit mbikëqyrës, kjo është hera e parë që zhvillohet një procedurë e tillë për të vlerësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë përputhshmërinë e një grupi politik evropian me vlerat themelore të BE-së./ /Ad.Ab./ a.jor.





