Një muaj paraburgim për të dyshuarin për therjen e dy personave në Rahovec

featured
Press Online
07 Korrik 2026, 16:17

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit E.H., i dyshuar për veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “lëndim i lehtë trupor”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 5 korrik 2026, rreth orës 22:30, në Rahovec, pranë lokaleve “C.B.” dhe “N’Q.B.”, pas një mosmarrëveshjeje të çastit.

I dyshuari, sipas Prokurorisë, ka sulmuar me thikë të dëmtuarin F.M., duke i shkaktuar plagë në pjesë vitale të trupit. Viktima fillimisht është trajtuar në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ndërsa më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejmë.

Në të njëjtin incident, i dyshuari dyshohet se ka lënduar edhe një person tjetër, E.H., të cilin e ka goditur me thikë në këmbën e djathtë. Edhe ai ka marrë trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal “Isa Grezda”.

Pas seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake nga Departamenti i Krimeve të Rënda, Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.

Masa e paraburgimit do të zgjasë një muaj dhe do të llogaritet nga 6 korriku 2026, dita e arrestimit, deri më 5 gusht 2026.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter