Vërmicë: I ofroi 5 euro policëve, arrestohet shtetasi i huaj

featured
Press Online
05 Korrik 2026, 10:10

Një shtetas i huaj është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, pasi dyshohet se tentoi t’u japë ryshfet zyrtarëve policorë gjatë kontrollit të dokumenteve të autobusit.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 4 korrik rreth orës 13:00, kur i dyshuari, gjatë prezantimit të dokumenteve, kishte vendosur një kartëmonedhë prej pesë eurosh.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull, shtetas i huaj, pasi gjatë prezantimit të dokumenteve të autobusit në pikën e kalimit kufitar, në dokumente kishte vendosur një kartëmonedhë prej 5 euro”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

Sipas të njëjtit njoftim, kur është pyetur nga zyrtari policor për arsyen e vendosjes së parave në dokumente, i dyshuari ka dhënë një shpjegim të pazakontë.

“I pyetur nga polici pse i keni vendosur të hollat në dokumente, i dyshuari kishte deklaruar se kartëmonedhën prej 5 euro e kishte vendosur ‘për të pirë kafe policët’ të cilët janë marrë me kontrollimin e dokumenteve”, njofton Policia.

Me vendim të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale “Dhënie ryshfeti”, ndërsa pas intervistimit ai është dërguar në mbajtje.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter