Prapa ketyre grilave në bodrumin e stacionit policor në Rahovec është qendra e ndalimit, ku dërgohen personat e dyshuar për vepra penale e ndalohen kryesisht për 48 orë.
Javë më parë Inspektorati Policor i Kosovës ka kryer një inspektim në këtë qendër dhe gjendja del të jetë jo aq e mirë.
Kushtet higjienike, në përgjithësi, sipas IPK-së, nuk janë në nivel të kënaqshëm.
“Kushtet higjienike në dhoma janë vlerësuar si jo të duhura, pasi në dhoma janë hasur mbetje ushqimore (shishe jogurti, shishe uji, letër e përdorur, etj.), ndërsa tualetet dhe lavamanët nuk pastrohen sa duhet. Dyshekët e jastëkët janë të njollosur dhe ka mungesë të çarçafëve për mbulim të dyshekëve. Në përgjithësi, niveli i pastërtisë brenda hapësirave të Qendrës nuk është i duhur. Stacioni ka të angazhuar dy punonjës civil si pastrues dhe shfrytëzon kontratën për shërbime të pastrimit të mbulojave në qendrat e mbajtjes në objektet e Policisë së Kosovës. Pavarësisht këtyre kapaciteteve, niveli i higjienës brenda hapësirave të Qendrës vlerësohet në nivel jo të kënaqshëm.”
Tutje ky raport nxjerr ne pah edhe nje problematikë tjetër më të madhe.
“Gjatë inspektimit, IPK ka hasur në mjete të tilla të rrezikshme brenda hapësirave të Qendrës së Ndalimit. Në dhomën e lavanderisë brenda hapësirës së Qendrës së Ndalimit, dera e së cilës është hasur e hapur, janë hasur mjete të forta (tullë betoni, lopatë, tavolinë, karrige, kabllo dhe mjete tjera të forta metalike). Prania e pajisjeve dhe objekteve të forta, që janë potencialisht të rrezikshme, përbën rrezik serioz për sigurinë e të ndaluarve dhe zyrtarëve mbikëqyrës në Qendër. Edhe pse në të kaluarën është rekomanduar largimi i mjeteve të rrezikshme nga këto hapësira, inspektimi pasqyron mosveprim në drejtim të rritjes së standardit të sigurisë.”
Për rrjedhojë, nga raporti tek institucionet përgjegjëse janë përcjellë shtatë rekomandime, e në një përgjigje me shkrim, Policia rajonale e Gjakovës kanë thënë se katër janë zbatuar menjëherë, ndërkohë që 3 të tjera janë në implementim së bashku me njësi të tjera të Policisë.
Por, sipas avokatit Meshar Selimaj gjendje e tillë e qendrave të ndalimit është edhe në stacione tjera policore.
“Pra nuk është veç ajo në Rahovec por është e Gjakovës dhe qendra shumë tjera që kanë nevojë për përkujdesje dhe me aq sa kemi parë gjatë këtyre kohëve ka lënë shumë për të dëshiruar mënyra se si janë menaxhuar këto qendra të ndalimit të cilat për fat të mirë nuk kanë zgjat më shumë se 48 orë pra personat që kanë qëndruar aty e kanë pasur fatin e mirë në mesin e kësaj të keqe që të mos qëndrojnë më shumë se 48 orë”, ka deklaruar ai.
Në fund të vitit të kaluar një person i ndaluar në këtë stacion policor në Rahovec ishe arratisur duke hapur me forcë derën e dhomës së ndalimit, por ishte kapur shpejtë nga zyrtarët policor dhe kthyer sërish aty.
https://www.youtube.com/watch?v=rHACP3gSZuM





