Karabinierët italianë dhe ushtarët çekë të Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU), pjesë e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, kanë zhvilluar një stërvitje me helikopterë në Camp Film City në Prishtinë.
Sipas KFOR-it, ushtrimi kishte për qëllim rritjen e gatishmërisë operacionale dhe përmirësimin e bashkërendimit mes ekuipazheve ajrore dhe personelit në terren.
Në kuadër të stërvitjes u realizuan skenarë të ndryshëm, përfshirë transportimin e personelit, evakuimin e të lënduarve dhe reagimin ndaj situatave emergjente, me synim forcimin e aftësisë për reagim të shpejtë.
KFOR thekson se këto aktivitete janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për të ruajtur gatishmërinë e trupave dhe për të garantuar një mjedis të sigurt dhe stabil për të gjithë qytetarët në Kosovë.





