Fermerët e qumështit protestojnë me traktorë nesër para Ministrisë së Bujqësisë

featured
Press Online
05 Korrik 2026, 17:42

Fermerët Kosovarë të Qumështit kanë vendosur të mbajnë nesër (të hënën) një protestë para Ministrisë së Bujqësisë në Prishtinë.

Shoqata vlerëson se protesta është “e pashmangshme” për shkak të situatës së krijuar nga ndërprerja e grumbullimit të qumështit të freskët, duke shtuar se deri më tani nuk ka pasur reagim nga institucionet përgjegjëse.

Fermerët kanë paraqitur tri kërkesa kryesore: Rifillim i menjëhershëm i grumbullimit, publikimi urgjent i rezultateve ne mënyrë qe te hiqet dyshimi mbi produktet vendore dhe ndalimi i importit ne mënyrë qe te stabilizohet çmimi i qumështit dhe te kthehet në çmimin e mëparshëm.

Shoqata ka njoftuar se protesta do të zhvillohet me mjete bujqësore dhe cisterna të qumështit. Po ashtu, qytetarët janë ftuar të marrin bidonë, pasi gjatë protestës do të mund të furnizohen me qumësht pa pagesë.

Kjo protestë vjen pas mbylljes  së përkohshme të fabrikës “Vita” në Istog, të enjten për shkak të një aksioni inspektues nga AUV dhe Ministria e Bujqësisë.

Përfaqësuesit e qumështores “Vita”, kanë deklaruar dy ditë parë se, vendimi për pezullimin e përkohshëm të punës është marrë nga vetë kompania dhe jo nga institucionet, ndërsa kanë kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AVUK) që t’i publikojë sa më shpejt rezultatet e analizave të mostrave të marra gjatë kontrollit të fundit.

Komisioni për Monitorim dhe Ndjekje të Punës së Inspektorëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konstatuar dje se fabrika e qumështit “Vita” ka shkelur vendimin e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja të 10 majit 2026, me të cilin ndalohet përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në fabrikat për përpunimin e qumështit./KP

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter