Gjatë një aksioni të zhvilluar në një lokal në Prishtinë, Policia e Kosovës ka hasur disa persona duke zhvilluar lojëra të fatit me letra, të dyshuara si aktivitet i paligjshëm.
Sipas policisë, në njërën prej tavolinave janë gjetur 205 euro para të gatshme, të cilat dyshohet se përdoreshin për organizimin e bixhozit.
Në kuadër të hetimeve, pronari i lokalit është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa shtatë persona të tjerë janë marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarëve.
“Në lidhje me rastin janë intervistuar shtatë persona në cilësi të dëshmitarëve, ndërsa pronari i lokalit është intervistuar në cilësi të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit paratë dhe letrat janë sekuestruar, ndërsa rasti procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Rasti është iniciuar si “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe po hetohet në procedurë të rregullt.






