Policia e Kosovës ka marrë pjesë më 2 dhe 3 korrik në ushtrimin e përbashkët operacional “Shpata e Artë 2026-1”, i zhvilluar në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës, KFOR-in, EULEX-in dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME).
Sipas Policisë së Kosovës, ushtrimi kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e gatishmërisë për reagim të koordinuar në menaxhimin e incidenteve kritike dhe situatave me rrezik të lartë.
Skenari i ushtrimit përfshiu reagimin ndaj kërcënimeve të sigurisë, identifikimin dhe menaxhimin e mjeteve shpërthyese, menaxhimin e protestave të dhunshme, përdorimin e mjeteve të specializuara, evakuimin e personave dhe koordinimin e plotë ndërinstitucional në terren.
Në këtë ushtrim u angazhuan njësi operative dhe mbështetëse të Policisë së Kosovës, përfshirë Drejtorinë e Njësive Speciale Operative, Njësinë për Reagim të Shpejtë, Njësinë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, Njësinë e Qenve Policorë, Divizionin për Siguri dhe Shëndet në Punë, si dhe njësitë e Rendit Publik.
Policia bëri të ditur se ushtrimi u ndoq nga drejtues të lartë të institucioneve pjesëmarrëse dhe partnerëve ndërkombëtarë, të cilët vlerësuan profesionalizmin, disiplinën operacionale dhe nivelin e koordinimit ndërinstitucional gjatë realizimit të skenarit.
Sipas Policisë së Kosovës, ky ushtrim dëshmon përkushtimin e institucionit në ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve operacionale, forcimin e bashkëpunimit me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe garantimin e sigurisë dhe rendit publik në vend.






