Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës në rrugën drejt lirisë.
Përmes një postimi, OVL-UÇK u ka përcjellë urimet popullit amerikan, Qeverisë së SHBA-së, si dhe ushtarëve e diplomatëve amerikanë që shërbejnë në mbarë botën.
“Për Kosovën dhe për ata që luftuan për çlirimin e saj, kjo ditë mbart peshë të vërtetë. Ajo flet për vlerat që mbajtën gjallë një luftë të drejtë dhe siguruan lirinë mbi të cilën ngrihet shtetësia jonë. Në orën më të errët të Kosovës, zëri dhe fuqia e Amerikës u rreshtuan krah popullit tonë. Kjo e vërtetë nuk zbehet”, thuhet në reagim.
OVL-UÇK ka shprehur gjithashtu respekt të veçantë për ushtarët amerikanë që shërbejnë në Kosovë, duke vlerësuar se prania e tyre është garanci e fortë për paqen dhe stabilitetin në vend.
Në fund të urimit, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka uruar që miqësia mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të mbetet e përjetshme.
“Zoti e bekoftë Amerikën dhe qoftë e përjetshme miqësia mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”, përfundon postimi i OVL-UÇK-së.






