Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 250-vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë, duke theksuar se 4 Korriku është një datë me rëndësi universale për lirinë, të drejtat e njeriut dhe vetëvendosjen.
Kurti thotë se vlerat e shpallura në Deklaratën e Pavarësisë së vitit 1776 “kanë mundur jo vetëm të mbijetojnë, por edhe të jetojnë, fuqishëm, në mendjet dhe zemrat e patriotëve të çdo epoke dhe çdo populli”.
Ai rikujtoi se këto parime kanë pasur ndikim të madh edhe për shqiptarët, duke përmendur takimin e Fan Noli me presidentin amerikan Woodrow Wilson në vitin 1918.
“Shqipëria londineze vërtet shpëtoi pas Luftës së Parë Botërore edhe në saje të parimeve të mishëruara në planin e paqes të njohur si ‘14 pikat e Wilsonit’”, shkroi Kurti.
Duke folur për Kosovën, ai tha se lëvizja për pavarësi iu referua të njëjtave parime të vetëvendosjes dhe se mbështetja amerikane ishte vendimtare.
“10 qershori i vitit 2007, kur George W. Bush deklaroi në Tiranë: ‘Më mirë më parë sesa më vonë, duhet të thuash këtu i erdhi fundi, Kosova është e pavarur’, bën pjesë te datat më të rëndësishme të historisë sonë më të re shtetformuese”, theksoi Kurti.
Në fund të postimit, ai uroi popullin amerikan për Ditën e Pavarësisë, duke shkruar: “Me dëshirat më të mira për të ardhmen e ndritshme të kombit amerikan, gëzuar 4 Korrikun, gëzuar përvjetorin e 250-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”.






