Prokuroria Speciale ngre dy aktakuza për krime lufte, shtatë persona akuzohen për torturimin e të burgosurve shqiptarë

featured
Press Online
03 Korrik 2026, 15:04

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur dy aktakuza për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, duke i dorëzuar ato në Gjykatën Themelore në Prishtinë me propozim për zhvillimin e gjykimit në mungesë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, aktakuza e parë është ngritur ndaj të pandehurve me inicialet J.J. dhe A.S., të cilët akuzohen se, në cilësinë e ish-gardianëve të Burgut të Prishtinës dhe paraleles së tij në Lipjan, gjatë viteve 1998-1999 kanë kryer krime lufte ndaj të burgosurve shqiptarë.

Sipas aktakuzës, ata dyshohet se kanë keqtrajtuar të burgosurit në mënyrë sistematike, duke i torturuar me mjete të ndryshme, përfshirë shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte, deri në alivanosje. Gjithashtu, ata akuzohen se i kanë kanosur seriozisht të burgosurit me vrasje.

Ndërkohë, aktakuza e dytë është ngritur ndaj katër të pandehurave me inicialet L.S., D.L., S.A. dhe B.S.

Prokuroria Speciale njofton se ato, në cilësinë e ish-gardianeve të Burgut të Prishtinës – paralelja për gra në Lipjan, gjatë periudhës së luftës në vitet 1998-1999, në bashkëkryerje me të akuzuarën tashmë N.C., kanë keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurat shqiptare.

Sipas aktakuzës, të pandehurat dyshohet se i kanë torturuar të burgosurat në mënyrë çnjerëzore, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dhunë psikike.

“Të pandehurat akuzohen se, në cilësinë e gardianeve të Burgut të Prishtinës – paralelja për gra në Lipjan, gjatë periudhës së luftës 1998-1999, në bashkëkryerje me tashmë të akuzuarën N.C., i kanë keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurat shqiptare, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore dhe duke u shkaktuar lëndime trupore e dhunë psikike”

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter