“Po e them publikisht, le të gjejmë një mënyrë se si ta rrisim pjesëmarrjen e diasporës në votime. Nuk ka rëndësi nëse do të jetë votim elektronik apo me postë. Le të gjejmë një model, një praktikë që zbatohet diku në botë, për t’ua mundësuar këtyre njerëzve ushtrimin e së drejtës së votës në mënyrën më të thjeshtë”, deklaroi kryeministri në edicionin qendror të lajmeve në televizionin Sitel.
Ai përsëriti se nuk ka ambicie të kandidojë për president të shtetit në vitin 2029, por shtoi se si kryetar i VMRO-DPMNE-së do ta udhëheqë partinë drejt një fitoreje tjetër të madhe ndaj LSDM-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Kryeministri Hristijan Mickoski hodhi poshtë pretendimet e opozitës se me vendosjen e mundësisë për votim elektronik të diasporës do të hapet rruga për manipulime zgjedhore.
Në intervistën e tij në edicionin qendror të lajmeve në televizionin Sitel, Mickoski tha se qëllimi i kësaj zgjidhjeje, e cila është pjesë e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor që ndodhen në procedurë parlamentare, është të mundësohet pjesëmarrje më e madhe e diasporës në zgjedhje. Ai u bëri thirrje LSDM-së dhe Levicës, të cilat kundërshtojnë këtë zgjidhje, të ulen në tryezë me shumicën qeverisëse për të gjetur një modalitet që qytetarët e Maqedonisë së Veriut që jetojnë jashtë vendit ta realizojnë të drejtën e votës në mënyrën më të lehtë.
Sipas tij, votimi mund të realizohet në mënyrë elektronike ose përmes postës, ndërsa pushteti është i gatshëm që që nesër të bisedojë për të gjitha modalitetet e mundshme.
“Po e them publikisht, le të gjejmë një mënyrë se si ta rrisim pjesëmarrjen e diasporës në votime. Nuk ka rëndësi nëse do të jetë votim elektronik apo me postë. Le të gjejmë një praktikë në botë që këtyre njerëzve t’u mundësohet ta ushtrojnë të drejtën e votës në mënyrë më të thjeshtë. Për shembull, në kontinentin australian, njerëzit duhet të udhëtojnë edhe nga dhjetë orë me avion vetëm për të votuar dhe pastaj të kthehen. Pak kush do të jetë i motivuar ta bëjë këtë. Por nëse ia mundësojmë votimin përmes telefonit të mençur, përmes postës ose në ndonjë mënyrë tjetër, atëherë duhet të gjejmë një zgjidhje. Ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë vetëm që të rritet pjesëmarrja e diasporës. Jemi të gatshëm të negociojmë sërish”, tha Mickoski.
Ai shtoi se ende ka kohë për të bërë ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe se nuk është me rëndësi nëse vendi do t’i marrë ose jo fondet e Bashkimit Evropian për Agjendën e Reformave, por që të ketë një Kod Zgjedhor që përfshin rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it dhe që siguron pjesëmarrje më të madhe në zgjedhje, duke filluar nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2029 e tutje.
Sipas kryeministrit, pjesëmarrja më e madhe e diasporës do të forcojë komunikimin ndërmjet atdheut dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që jetojnë jashtë vendit, pasi qëllimi, siç tha ai, është kthimi i tyre.
“Kjo do të jetë një urë për ta, një ndjenjë se marrin pjesë në politikat e shtetit të tyre, të atdheut nga i cili janë larguar për arsye të ndryshme, disa përgjithmonë e disa përkohësisht. Qëllimi ynë është t’i kthejmë këta njerëz. Ndërkohë, dikush vendosi të bëjë filibustering dhe të mos lejojë që diaspora të ndihet sikur është në shtëpi”, tha Mickoski.
Ai shtoi se nuk mund ta pranojë pretendimin se votimi elektronik mund të sjellë manipulime zgjedhore, pasi, sipas tij, nuk ka dëgjuar asnjë argument se si mund të ndodhë një gjë e tillë.
“Ne jemi shtet anëtar i NATO-s dhe komandanti suprem është presidenti i shtetit. Nuk duhet të hyjmë në një proces që do të prodhojë vazhdimisht paqëndrueshmëri apo do të shndërrohet në pazare politike. Thelbi është se me pjesëmarrje më të madhe të diasporës forcohet ndjenja kombëtare tek ata. Ekziston edhe argumenti ekonomik. Edhe tani diaspora voton, por vetëm në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore. Shpenzojmë miliona duke dërguar njerëz nga këtu për ta organizuar procesin zgjedhor dhe më pas për t’u kthyer. Kemi shumë arsye pse ky proces duhet të thjeshtësohet, e jo të bëhet më i ndërlikuar”, deklaroi Mickoski.
Ai tha se nuk e kupton pse LSDM-ja dhe Levica kanë paralajmëruar bllokim të Kodit Zgjedhor me mijëra amendamente, edhe pse, sipas tij, gjithçka kishte qenë e dakorduar.
“Njëri thotë se do të dorëzojë 10 mijë amendamente, tjetri 3.500. Në rregull, LSDM-ja dhe Levica po luftojnë kundër diasporës. Nuk i kuptoj pse e bëjnë këtë. Veçanërisht nuk e kuptoj LSDM-në, pse kanë bindjen se në vitin 2029 do të jenë në opozitë. Mesa duket që tani mendojnë se do t’i humbin zgjedhjet e ardhshme parlamentare, edhe pse në retorikën e tyre thonë se do të më arrestojnë mua para se të kthehem në fakultet. Kjo do të thotë se ata vetë pranojnë që në vitin 2029 do të jenë opozitë dhe se VMRO-DPMNE-ja do të jetë në pushtet. Unë nuk e kuptoj këtë mentalitet humbësi, por duket se ata e kanë”, tha Mickoski.
Ai përsëriti se nuk ka ambicie të kandidojë për president në vitin 2029, por theksoi se si kryetar i VMRO-DPMNE-së planifikon ta udhëheqë partinë drejt një fitoreje tjetër bindëse në zgjedhjet parlamentare.
“Kur ta përfundoj këtë pjesë të jetës sime si kryeministër, do të kthehem në fakultet, te studentët. Nuk kam thënë kurrë se kur do të ndodhë kjo, pas një, pesë apo dhjetë vitesh. Ata që vazhdimisht më parashikojnë fundin do të duhet të përpiqen më shumë që ai të vijë më shpejt, ndërsa unë do të përpiqem që të zgjasë më gjatë. Kjo do të thotë se si kryetar i VMRO-DPMNE-së planifikoj ta udhëheq partinë drejt një fitoreje tjetër të madhe parlamentare dhe do të isha i kënaqur nëse arrijmë ta përmirësojmë rezultatin që e kemi arritur para më shumë se dy vitesh”, deklaroi Mickoski.
Në fund, ai tha se ka ende shumë punë për të bërë për qytetarët dhe shtetin, duke shtuar se nga pozita e kryeministrit e sheh qartë se çfarë është bërë gabim në dekadat e kaluara.
“Qytetarët meritojnë një jetë më të mirë. Jam më i motivuar se kurrë dhe punoj më shumë se në çdo periudhë tjetër të jetës sime. Mundohem të ndihmoj secilin që mundem, edhe pse nuk jam mrekullibërës dhe nuk mund t’u ndihmoj të gjithëve. Brenda kompetencave të mia do të vazhdoj të punoj për drejtësinë dhe për atë që qytetarët presin nga unë si kryeministër. Edhe një herë konfirmoj se nuk kam ambicie të jem kandidat për president”, deklaroi Mickoski.






