Muhaxheri: Duke njohur Kurtin, vendi është më afër zgjedhjeve të reja se krijimit të institucioneve

featured
Press Online
03 Korrik 2026, 23:16

Analisti politik, Arton Muhaxheri, vlerëson se edhe pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, mbetet e paqartë se si do të veprojë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në përpjekjet për krijimin e institucioneve të reja.

Muhaxheri, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se nuk sheh ndonjë zhvillim të ri në skenën politike, pasi, sipas tij, Kurti ende nuk ka bërë të ditur se cili do të jetë hapi i tij pas certifikimit të rezultateve.

“Nuk shoh ndonjë zhvillim të ri pasi këto janë sinjalet që po na i jep edhe zotëri Kurti i cili nuk po deklarohet se çfarë do të bëjë pas certifikimit të rezultatit. Por, ajo që më ka rënë në sy është gatishmëria e LDK-së me qenë aq e afërt për bashkëpunim me VV-në e që është diçka e re në këto zgjedhje teksa nuk kanë asnjë sinjal nga zotëri Kurti që do ta ftojë në bashkëqeverisje në të ardhmen. Ende është situatë e paqartë dhe besoj se zotëri Kurti është duke kalkuluar”, u shpreh Muhaxheri.

Sipas tij, mungesa e gatishmërisë së Kurtit për kompromis politik po e vështirëson arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve – teksa shtoi se, sipas tij, Kurti dëshiron që partitë opozitare t’i nënshtrohen për të bërë të mundur një bashkëpunim të mundshëm.

Muhaxhiri shtoi se ekzistojnë mundësi për krijimin e institucioneve pa shkuar në zgjedhje të reja, por, bazuar në mënyrën se si ka vepruar Kurti në të kaluarën, ai beson se vendi është më afër zgjedhjeve sesa një zgjidhjeje politike.

“Kurti e refuzon marrëveshjen politike pasi është një kryeministër që nuk e njeh gjuhën e kompromisit e dialogut dhe ky është problemi. Unë e kujtoj që në të kaluarën ka pasur polemika mes PDK-së dhe LDK-së e që pastaj kanë gjetur gjuhë të përbashkët dhe e kanë parë si partner njëra-tjetrën. Zotëri Kurti nuk i sheh si partner por si të nënshtruar dhe vetëm nëse nënshtrohen e sheh si të mundur bashkëpunimin sepse të gjitha mundësitë janë për të pasur institucione dhe për të mos shkuar në zgjedhje. Por, duke njohur Kurtin dhe veprimet e tij të kaluara më shumë ka zgjedhje se zgjidhje”, u shpreh Muhaxheri.

https://www.youtube.com/watch?v=yYBMB-JcXpc

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter