Kur kultura dhe tradita kultivohen me dashuri dhe përkushtim, ato shndërrohen në urën më të fortë mes së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes. Pikërisht për këtë arsye, Casinos Austria International Maqedoni edhe këtë vit me krenari është një nga mbështetësit e festivalit “Vera e Ohrit”, manifestimit më të rëndësishëm kulturor në vend dhe njërit prej festivaleve më prestigjioze në Evropë.
Nga 12 korriku, Ohri do të shndërrohet sërish në skenë të artit më të lartë muzikor dhe dramatik, duke mbledhur artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe publikun që prej më shumë se gjashtë dekadash e njeh festivalin si simbol të identitetit kulturor dhe pasurisë shpirtërore të Maqedonisë së Veriut. Programi i “Verës së Ohrit” do të zhvillohet nga 12 korriku deri më 20 gusht, në disa lokacione: Teatri Antik, kisha “Shën Sofia” dhe oborri i saj, Qendra e Kulturës “Grigor Përliçev” dhe skena “Dolni Saraj”. Në total janë paraparë 48 ngjarje me pjesëmarrjen e mbi 700 artistëve nga 24 vende.
Edicioni i 66-të i festivalit “Vera e Ohrit” do të hapet më 12 korrik në Teatrin Antik të Ohrit me koncertin gala të titulluar “Dashuria”. Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti italian Marko Boemi, ndërsa së bashku me orkestrën e Operës dhe Baletit Kombëtar të Maqedonisë do të performojnë sopranoja e njohur me famë botërore Ermonela Jaho nga Shqipëria dhe tenori i njohur ndërkombëtarisht Charles Castronovo nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për Casinos Austria International Maqedoni, mbështetja e “Verës së Ohrit” është shumë më tepër se një sponsorizim. Ajo përfaqëson një investim në vlerat që formësojnë një shoqëri – artin, kulturën, arsimin dhe, mbi të gjitha, ruajtjen e traditës. Besojmë se trashëgimia kulturore nuk është vetëm një kujtim i së kaluarës, por një frymëzim i gjallë që lidh brezat dhe krijon hapësirë për ide të reja, kreativitet dhe dialog.
Si kompani me përgjegjësi shoqërore, Casinos Austria International Maqedoni vazhdimisht mbështet iniciativa që lënë vlera të qëndrueshme në komunitet. Investimi në kulturë do të thotë investim në të ardhmen, sepse pikërisht përmes artit ndërtohet ndjenja e përkatësisë, respekti për diversitetin dhe vetëdija për identitetin tonë.
Edhe këtë vit, Casinos Austria International Maqedoni do të qëndrojë me krenari pranë festivalit që prej më shumë se gjashtë dekadash është ruajtës i vlerave më të larta kulturore.






