Kodi Zgjedhor i RMV-së ngeci te votimi elektronik i diasporës

featured
Press Online
02 Korrik 2026, 11:54

Propozim-ndryshimet e Kodit Zgjedhor po hyjnë në procedurë parlamentare me një bllokadë të paralajmëruar nga opozita, pasi LSDM njoftoi se nuk do të lejojë që ligji të miratohet në formën e propozuar për shkak të dispozitave për votimin elektronik të diasporës. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi se kryeministri Hristijan Mickoski ka qenë i gatshëm të pranonte ndryshime në propozimin e paraqitur për gjithçka përveç se për votimin e diasporës. Sipas Filipçes kjo pjesë është arsyeja se pse LSDM po e bllokon ligjin dhe dorëzon dhjetëra mijëra amendamente, transmeton Portalb.mk.

“Kryeministri do pranonte ndryshime në propozimin e dorëzuar për ndryshimin e Kodit Zgjedhor për gjithçka përveç se për votimin e diasporës. Kryeministri këmbëngul që kjo të mbetet në ligj. Pikërisht kjo mënyrë e votimit të diasporës për ne nuk është as evropiane dhe as demokratike. LSDM nuk pajtohet që ky propozim të kalojë kështu”, tha Filipçe.

Ndryshimet e propozuara parashikojnë që qytetarët që punojnë ose banojnë përkohësisht jashtë vendit në vend të përfaqësive diplomatike dhe konsullore të votojnë në mënyrë elektronike përmes sistemit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Sipas tekstit të propozim-ligjit votimi elektronik nga jashtë vendit do të zbatohej duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme të rregullta presidenciale, ndërsa modeli ekzistues i votimit në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore do të mbetej në fuqi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Filipçe vlerësoi se një zgjidhje e tillë hap mundësi për abuzime dhe se vendi nuk duhet të hyjë në një sistem që, sipas tij, nuk mund të kontrollohet mjaftueshëm.

“Propozohet të votohet në mënyrë elektronike, diçka që kanë tentuar ta zbatojnë shumë vende më të zhvilluara se tonat, si Franca, por pasi e kuptuan se nuk funksiononte me kontrollin e duhur e tërhoqën. Diaspora jonë, nuk e dimë sa mijëra njerëz janë, e kjo hap mundësi për abuzime, siç është për shembull një person të votojë për disa persona”, tha Filipçe.

Ai e parashtroi pyetjen se çfarë do të ndodhte nëse sistemi do të hakohej para ditës së zgjedhjeve ose në ditën e votimit dhe se kush do ta garantonte legjitimitetin e rezultateve.

“Si do ta kontrollojmë nëse nesër në një sistem votimi elektronik plotësisht të sigurt siç është ky i propozuar nga VMRO-DPMNE, sistemi hakohet para ditës apo në vetë ditën e votimit? A do të dështojnë zgjedhjet? Kush do ta garantojë rezultatin?”, pyeti Filipçe.

Sipas tij nuk ka arsye për të shpejtuar me një ndryshim të tillë, sidomos sepse zbatimi i votimit elektronik është planifikuar vetëm për zgjedhjet presidenciale në vitin 2029. Filipçe propozoi që pjesa e diskutueshme të hiqet nga ligji dhe për të të formohet një grup pune i posaçëm i përbërë nga ekspertë.

“Ja, le ta heqin atë pjesë të ligjit. Gjithsesi propozohet që kjo të zbatohet nga zgjedhjet presidenciale në vitin 2029. Le të formohet një grup pune ekspertësh që do të punojë për atë propozim, e pastaj mund ta zbatojmë nëse sigurohemi që sistemi është i mirë”, tha Filipçe.

Ai e vendosi kontestin edhe në një kontekst më të gjerë politik, duke vlerësuar se qeveria nuk ka kredibilitet që të kërkojë besim për një sistem të tillë, sepse, siç tha ai, bëhet fjalë për një parti “që është e njohur për abuzime të procesit zgjedhor”. Filipçe e akuzoi VMRO-DPMNE-në se nuk përgjigjet në pyetjet konkrete lidhur me sigurinë, kontrollin dhe abuzimet e mundshme.

Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski paraprakisht deklaroi se VMRO-DPMNE i kishte pranuar të gjitha kërkesat e partisë më të vogël opozitare “E Majta” në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, përfshirë këtu edhe kërkesën për financimin e partive politike në fushatën zgjedhore. Ai tha se qeveria ishte e gatshme të pranonte edhe dy nga kërkesat e LSDM-së, por jo edhe të heqë dorë nga votimi elektronik i diasporës. Mickoski u përqendrua sërish tek kërkesat e partisë “E Majta”, ndërsa më pak deshte të flasë për sigurinë e votimit elektronik në diasporë, që është kërkesë e LSDM-së, duke tentuar që t’i fusë në të njëjtin kosh dy partitë opozitare që kanë vërejtje të ndryshme për Kodin Zgjedhor.

“Gjithçka u dakordua, gjithçka u konfirmua, praktikisht të gjitha kërkesat e tyre u përfshinë në vetë Kodin Zgjedhor, sidomos kur bëhet fjalë për partinë “E Majta”. Në ditën kur duhej të nënshkruhej propozimi dhe t’u dorëzohej deputetëve, qëndrimi i partisë ishte se ata nuk do ta nënshkruanin, se nuk do ta bojkotonin, por nuk do ta nënshkruanin. Gjithçka që kërkuan u pranua”, tha Mickoski.

Ai e akuzoi partinë “E Majta” për sjellje jo parimore dhe kalkulime politike, të cilave më vonë iu bashkua LSDM-ja për ta bllokuar miratimin e Kodit Zgjedhor përmes filibasteringut.

Mickoski tha se qeveria është e gatshme të pranojë amendamente nga LSDM-ja për mënyrën e votimit, përkatësisht që në vend të numrit të rrethohet emri i kandidatit, si dhe për ankesat paszgjedhore nga vëzhguesit dhe përfaqësuesit e autorizuar.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter