Bayern Munich ka zyrtarizuar transferimin e sulmuesit Ismael Saibari nga PSV Eindhoven.
Futbollisti 25-vjeçar, i cili aktualisht është i angazhuar me kombëtaren e Marokut në Kupën e Botës, do t’i bashkohet kampionëve të Gjermanisë menjëherë pas përfundimit të turneut.
Saibari ka firmosur një kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2031 dhe te Bayern do të mbajë fanellën me numrin 34.
Anëtari i bordit për sport te Bayern, Max Eberl, u shpreh i kënaqur me përfundimin e marrëveshjes.
“Jemi shumë të lumtur që kemi siguruar shërbimet e Ismael Saibarit, një prej sulmuesve më interesantë në Kupën e Botës. Ky është rezultat i një pune të gjatë dhe planifikimi të kujdesshëm. Ne i paraqitëm që herët projektin tonë dhe vizionin për të ardhmen e tij te Bayern. Ai do t’i shtojë cilësi dhe kreativitet repartit ofensiv”, deklaroi Eberl.
Edhe drejtori sportiv Christoph Freund vlerësoi cilësitë e marokenit.
“Saibari ka fituar tre tituj radhazi kampion në Holandë me PSV, ka eksperiencë në Champions League dhe po tregon vlerat e tij edhe në Kupën e Botës. Është një futbollist i gjithanshëm, energjik dhe i guximshëm, me mentalitet fitues dhe instinkt për gol. Lojtarë si ai janë arsyeja pse tifozët mbushin stadiumet”, tha Freund.
Vetë Saibari nuk e fshehu emocionin për transferimin.
“Si fëmijë ëndërron të firmosësh me një klub si Bayern Munich. Është një nga klubet më të mëdha në botë dhe lufton çdo sezon për trofetë më të rëndësishëm, si Champions League. Dua të fitoj sa më shumë trofe këtu. Stili i lojës së Bayern më përshtatet dhe do të jap maksimumin çdo ditë për ekipin. Trajneri Vincent Kompany pati një rol vendimtar në zgjedhjen time dhe mezi pres të punoj me të”, u shpreh ai.
I lindur në Terrassa të Spanjës, Saibari e nisi karrierën në akademinë e Anderlechtit, përpara se të kalonte te Genk dhe më pas te PSV Eindhoven në vitin 2020. Me klubin holandez ai shënoi 42 gola dhe dha 29 asistime, duke fituar tre tituj kampion, tre Superkupa dhe dy Kupa të Holandës. Sezonin e fundit u shpall edhe futbollisti më i mirë në Holandë.






