Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka refuzuar të gjitha ankesat e paraqitura pas përfundimit të procesit të numërimit dhe rinumërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Sipas vendimeve, PZAP ka hedhur poshtë ankesat e kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Qëndrim Kryeziu dhe Bekim Haxhiu, të cilët në ankesa të ndara kishin kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së.
Po ashtu, janë refuzuar edhe ankesa e Lista Serbe dhe dy ankesa të Nova Demokratska Stranka, të cilat lidheshin me pretendime për parregullsi në procesin e votimit dhe numërimit.
Lista Serbe kishte pretenduar se subjekti politik i Nenad Rashiq kishte marrë një numër të konsiderueshëm votash në zona ku komuniteti serb nuk është i pranishëm ose është në numër shumë të vogël.
Megjithatë, PZAP vlerësoi se Lista e Votuesve nuk përmban të dhëna mbi përkatësinë etnike të votuesve dhe se nuk ekziston bazë ligjore për shpalljen e këtyre votave si të pavlefshme.
PZAP i ka cilësuar të gjitha ankesat si të pabazuara.
Nëse palët nuk i ankimojnë këto vendime në Gjykatën Supreme brenda afatit prej 48 orësh, atëherë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.







