Pas eliminimit të Gjermanisë nga Kupa e Botës ndaj Paraguait, në media gjermane po dalin në pah probleme të brendshme gjatë grumbullimit të skuadrës në turneun e zhvilluar në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Ish-kapiteni legjendar i Gjermanisë, Lothar Matthaus, në një intervistë për Bild, ka folur për tensione brenda ekipit që lidhen me organizimin e qëndrimit të familjeve dhe çështjet e udhëtimeve.
Ai është shprehur: “Ka shumë gjëra për të përpunuar, si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Probleme me bashkëshortet, me familjet… kishte gjithçka. Shumë histori. Nuk e kuptoj pse familje të tëra duhet të jenë të pranishme që në fillim. Më pas u shfaqën probleme me udhëtimet dhe rezervimet e hoteleve.
E gjithë kjo ishte temë diskutimi brenda ekipit. Nuk doli kurrë në media, por unë e di që ka ndodhur. Dikush zemërohej me tjetrin sepse në një rast në avion udhëtonte nëna e një lojtari, ndërsa tjetri mund të merrte bashkëshorten dhe fëmijët. Familje të tjera duhej të udhëtonin me fluturime komerciale.”
Sipas Matthaus, këto situata kanë krijuar pakënaqësi dhe diskutime brenda grupit, duke ndikuar në atmosferën e skuadrës gjatë turneut.






