Nisin patrullimet e përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe Shqipërisë

featured
Press Online
01 Korrik 2026, 13:45

Nga sot kanë nisur patrullimet e përbashkëta të zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit Shqiptar në territorin e Republikës së Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional mes dy vendeve.

Sipas Policisë së Kosovës, ky angazhim synon forcimin e bashkëpunimit profesional, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe ofrimin e një shërbimi sa më efikas për qytetarët, veçanërisht gjatë sezonit veror kur fluksi i udhëtarëve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është më i madh.

“Ky angazhim i përbashkët synon forcimin e bashkëpunimit profesional, rritjen e sigurisë rrugore dhe ofrimin e një shërbimi sa më efikas për qytetarët dhe të gjithë përdoruesit e rrugëve, veçanërisht gjatë sezonit veror kur qarkullimi ndërmjet dy vendeve shënon rritje të konsiderueshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Patrullimet do të zhvillohen në koordinim të ngushtë ndërmjet dy policive, me fokus në rritjen e sigurisë publike, parandalimin e aksidenteve në trafik dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor.

“Patrullimet realizohen në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë ndërmjet dy policive, duke reflektuar partneritetin e ndërtuar ndër vite dhe angazhimin e përbashkët për rritjen e sigurisë publike, parandalimin e aksidenteve në trafik dhe respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor”, theksohet në njoftim.

Policia e Kosovës ka vlerësuar bashkëpunimin me Policinë e Shtetit Shqiptar, duke ritheksuar përkushtimin për zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në interes të sigurisë së qytetarëve.

Njëkohësisht, autoritetet u kanë bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë në rrugë.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter