Një skuadër e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka mbërritur në Liqenin e Balltavës.
Skuadra e kërkimit në ujë e FSK-së i është bashkuar asaj të Policisë së Kosovës për kërkimin e një burri që dyshohet se është zhdukur në liqen që nga ora 13:00, njofton Dukagjini.
Këtë për Dukagjinin e tha edhe Vëllazërim Qerimi, Shef i Sektorit të Informimit në FSK.
Qerimi, mes tjerash, u shpreh se ekipi ka shkuar me të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe me të mbërritur në Batllavë kanë nisur kërkimet.
Kujtojmë se Policia bëri të ditur se rreth orës 13:00 kanë marrë informacionet për dyshimet se i njëjti kishte hyrë në ujë dhe nuk ishte parë të ketë dalë nga uji.
Rastin për Dukagjinin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
“Rreth orës 13:00, Policia ka pranuar informatën se një person dyshohet se ka hyrë në ujë në Liqenin e Batllavës dhe më pas nuk është parë të dalë. Menjëherë pas pranimit të informatës, janë angazhuar të gjitha njësitë relevante policore, si dhe njësitë e tjera të kërkim-shpëtimit, me qëllim të lokalizimit të personit. Aktualisht, operacioni i kërkimit dhe shpëtimit është duke vazhduar”, u shpreh Pllana për Dukagjinin.
Dyshohet për një të zhdukur në Batllavë, Policia nis kërkimet







