Kumanova bastion i ri i Taravarit

featured
Press Online
29 Qershor 2026, 22:11

Aleanca për Shqiptarët ka vazhduar procesin e konsolidimit të strukturave partiake në terren, duke mbajtur sot Kuvendin Zgjedhor të degës në Kumanovë, ku Burhan Aliti u zgjodh unanimisht kryetar i degës.

Zgjedhja e Alitit vjen pas përfundimit të procesit zgjedhor në të gjitha nëndegët e Aleancës për Shqiptarët në Kumanovë. Krahas zgjedhjes së kryetarit, u formua edhe kryesia e re e degës, e cila do të jetë përgjegjëse për zbatimin e objektivave strategjike të partisë dhe për forcimin e mëtejshëm të organizimit në nivel lokal.

Sipas partisë, procesi zgjedhor u zhvillua në një atmosferë demokratike, me pjesëmarrje të gjerë të anëtarëve dhe aktivistëve të degës.

Në Kuvend mori pjesë edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i shoqëruar nga funksionarë të lartë partiakë. Në fjalën e tij, ai foli për zhvillimet politike në vend, duke theksuar rëndësinë e organizimit të brendshëm të partisë.

Taravari nënvizoi se strukturat e forta dhe të konsoliduara janë baza e suksesit politik, ndërsa u bëri thirrje anëtarëve që të vazhdojnë angazhimin e tyre me përkushtim, përgjegjësi dhe pjesëmarrje aktive në veprimtarinë e Aleancës për Shqiptarët.

Nga kjo parti theksojnë se do të vazhdojnë procesin e forcimit të strukturave organizative në të gjitha degët, me synimin për të rritur praninë dhe aktivitetin e saj politik në terren.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter