Herët a vonë, çdo tifoz sporti do të përjetojë zhgënjimin e kthimit në shtëpi me zemër të thyer pas një humbjeje. Por, sado e njohur të jetë ajo ndjesi hidhërimi, për disa tifozë të zjarrtë humbja nuk bëhet kurrë më e lehtë.
Kur identifikohesh fort me skuadrën tënde, e ndien vërtet si pjesë të vetes, thotë Daniel Wann, psikolog social në Universitetin Murray State në Kentucky, i cili prej dekadash studion tifozërinë sportive.
Fitoret dhe sukseset e skuadrës i përjeton sikur të ishin të tuat.
Kur bilbili i fundit shënon humbjen, ajo nuk përjetohet thjesht si diçka që i ndodhi një grupi sportistësh diku larg. Për tifozin, ndihet si një humbje personale, ndaj edhe fjalët me qëllim të mirë që thonë të tjerët shpesh nuk bëjnë efektin e duhur.
Studiuesit e tifozërisë sportive kanë dhënë këshilla se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet t’i thuhet një tifozi kur skuadra e tij humbet.
Gjëja më e mirë që mund t’i thoni dikujt kur skuadra e tij humbet:
Shihe pak më gjerë
Kur një mik është i dërrmuar nga humbja e skuadrës së tij, instinkti juaj mund të jetë ta bëni të ndihet më mirë sa më shpejt. Por qasja më e mirë nuk është ta bindni që të mos zhgënjehet; përkundrazi, është ta ndihmoni ta shohë situatën në një këndvështrim më të gjerë.
Mund t’ia thoni kështu:
Shihe pak më gjerë dhe kujto sa sezon i mirë ka qenë, sugjeron Edward Hirt, profesor i psikologjisë dhe shkencave të trurit në Universitetin Indiana Bloomington, i cili studion psikologjinë e tifozërisë.
Ne fiksohemi shumë pas së tashmes, pas ndeshjes së fundit.
Kur e sheh më nga larg, humbja nuk është më e gjithë historia, por vetëm një kapitull i saj.
Pas një humbjeje të vështirë, sidomos kur ndeshja ka qenë e ngushtë, tifozët priren të fiksohen te ai moment i vetëm kur gjithçka shkoi keq: një gjuajtje e lirë e humbur, vendimi i gabuar i arbitrit, apo goditja që nuk duhej të ishte bërë fare.
Psikologët e quajnë këtë mendim kundërfaktik: ai mekanizmi që na fut në spiralen bezdisëse të “sikur vetëm…”. Të shohësh më gjerë e ndërpret këtë tunel mendimesh. Në vend që të përqendrohesh te një aksion që humbi ndeshjen, e zgjeron pamjen për të parë gjithçka që shkoi mirë deri aty.
Siç thotë Wann, nuk duhet “ta gjykosh një sezon apo një turne vetëm nga rezultati i ndeshjes së fundit”.
Mendoni për një skuadër që humbet ndeshjen e parë në Final Four, thotë ai:
Për të arritur deri aty, duhet të kesh fituar shumë ndeshje. Ke pasur edhe shumë momente gëzimi gjatë rrugës.
Çelësi është të jeni konkret. Një “sezon i mirë” i thënë shpejt e shpejt nuk do të ketë shumë efekt, tingëllon si çmim ngushëllues ose, në rastin më të keq, si ironi.
Përmendni momentet konkrete: lojtari i ri që shpërtheu, kimia që kishte kjo skuadër, apo fakti që askush nuk priste që të arrinin kaq larg që në fillim.
Ka shumë gjëra pozitive në rrugën që të çoi deri aty ku arritët, thotë Hirt.
Sa më konkretë të jeni, aq më e vështirë bëhet për tifozin ta hedhë poshtë atë që thoni dhe aq më e lehtë është që ai të nisë ta shohë gotën gjysmë plot.
Ka një kusht të rëndësishëm: koha kur e thoni. Mos u përpiqni t’ia zgjeroni këndvështrimin dikujt tre minuta pas bilbilit të fundit. Menjëherë pas humbjes, një tifoz nuk ka nevojë për perspektivë; ndonjëherë ka nevojë për hapësirë, “si psikologjike, ashtu edhe fizike”, thotë Wann.
Filloni me empati, lëreni të kalojë tronditja e parë dhe vetëm më pas ndihmojeni ta shohë situatën më gjerë. Nëse përpiqeni ta riformuloni shumë shpejt, edhe këshilla më e mirë mund të duket sikur po e shtyni dikë të kalojë mbi ndjenja që ende nuk i ka përpunuar.
Gjëra të tjera ngushëlluese që mund të thoni pas një humbjeje të vështirë:
“Shihe pak më gjerë” mund të jetë lëvizja më e fortë në këtë situatë, por nuk është e vetmja. Ka edhe disa përgjigje të tjera që mund të ndihmojnë.
Filloni me më të thjeshtën, sepse është edhe më e sigurta:
Ishte vërtet një humbje e vështirë. Më vjen keq. Pa e zbukuruar, pa kërkuar menjëherë anën pozitive, thjesht duke pranuar se humbja dhemb.
Kjo funksionon edhe më mirë kur fjalët vijnë nga dikush që e kupton vërtet ndjesinë.
Nëse personi e di që ai që po flet nuk merr vesh fare nga sporti, simpatia mund të “tingëllojë pak bosh”, thotë Wann.
Mërzia kërkon shoqëri, sidomos shoqëri që e kupton vërtet atë që po kalon.
Çfarë nuk duhet t’i thoni dikujt, skuadra e të cilit ka humbur
Tani le të flasim për ato fraza që duhen shmangur. Sipas Wann, nuk duhet t’i thoni kurrë një tifozi të zhgënjyer:
Është vetëm një lojë.
Mund të duket si një shprehje e zakonshme, por në fakt është një nga gjërat më të këqija që mund të thuash, sepse për një tifoz të përkushtuar kjo thjesht nuk është e vërtetë.
Për shumë tifozë, skuadra përfaqëson diçka shumë më të madhe sesa rezultati i fundit në tabelë. Ajo lidhet me identitetin, përkatësinë, kujtimet, miqësitë dhe emocionet e krijuara ndër vite. Për këtë arsye, humbja nuk përjetohet thjesht si një rezultat sportiv, por si diçka shumë më personale.
Të përpiqesh ta shtysh një tifoz ta kapërcejë menjëherë mërzinë funksionon po aq pak sa të përpiqesh të nxitosh këdo të kalojë çdo lloj pikëllimi, pra, aspak.
Nëse skuadra juaj fitoi ndërsa e tija humbi, rezistojini tundimit për t’u mburrur. Pak ngacmim me humor mund të jetë i pranueshëm mes rivalësh, por ta rëndosh situatën menjëherë pas humbjes rrallëherë ndihmon.
Në fund të fundit, siç thotë Wann, “emocionet janë absolutisht reale” dhe janë diçka që, si tifoz sporti, herët a vonë do ta përjetoni edhe vetë./ Monitor







