ZNAM-i i vogël me ambicie të mëdha, kërkon MPB-në ose Mbrojtjen

featured
Press Online
26 Qershor 2026, 09:57

Rekonstruktimi i paralajmëruar i Qeverisë ka nxjerrë në pah ambiciet e partnerit më të vogël qeveritar, ZNAM-it të Maksim Dimitrievskit, i cili duket se nuk po kënaqet me ofertën për ta marrë Ministrinë e Bujqësisë në këmbim të Ministrisë së Drejtësisë. Pas takimit katërorësh mes VMRO-DPMNE-së dhe ZNAM-it, nuk është arritur marrëveshje për ndarjen e re të resorëve qeveritarë. Sipas informacioneve nga partitë, kryeministri Hristijan Mickoski nuk ka arritur ta bindë Dimitrievskin që ZNAM-i ta lëshojë Ministrinë e Drejtësisë dhe në vend të saj të marrë resorin e bujqësisë. Edhe pse jozyrtarisht edhe vetë ZNAM-i e di se rotacioni është çështje ditësh, partia e Dimitrievskit ka tentuar ta shfrytëzojë momentin për të fituar një resor më të rëndësishëm. Në vend të bujqësisë, ata kanë kërkuar Ministrinë e Punëve të Brendshme ose Ministrinë e Mbrojtjes, por një kërkesë e tillë nuk ka kaluar te Mickoski, shkruan PressOnline.al.

Sipas kombinimeve aktuale, Ministria e Drejtësisë pritet t’i kalojë VLEN-it, ndërsa ZNAM-it i ofrohet Ministria e Bujqësisë. Për këtë resor përmendet mundësia që ministër të bëhet sekretari shtetëror aktual në këtë ministri, i cili vjen nga radhët e ZNAM-it.

ZNAM-i, megjithatë, ka mbetur në qëndrimin se marrëveshja fillestare për pjesëmarrje në Qeveri duhet të respektohet dhe se partia duhet t’i mbajë Ministrinë e Administratës Publike dhe Ministrinë e Drejtësisë. Nga ana tjetër, Mickoski tashmë ua ka bërë të qartë partnerëve se puna e ministrit aktual të Drejtësisë, Igor Filkov, konsiderohet problematike.

Në ndërkohë, VMRO-DPMNE dhe VLEN tashmë kanë afruar qëndrimet për resorët ku pritet të ketë rotacion. VMRO-DPMNE pritet t’i marrë shëndetësinë, politikën sociale dhe eurointegrimet, ndërsa VLEN pritet të udhëheqë me drejtësinë, sportin, kulturën dhe marrëdhëniet mes bashkësive.

Te VLEN-i këtë e shohin si fitore politike, pasi marrja e Ministrisë së Drejtësisë do të nënkuptonte largimin e Filkovit, por edhe forcim të pozitës së tyre brenda Qeverisë. Ndryshime të mundshme përmenden edhe në resorin e sistemit politik, si dhe në postin e zëvendëskryeministrit pa resor, që aktualisht drejtohet nga Shaban Saliu.

Nëse Mickoski arrin marrëveshje përfundimtare me dyshen Bilall Kasami – Izet Mexhiti dhe me Maksim Dimitrievskin, nga Qeveria pritet të largohen disa ministra dhe funksionarë aktualë, mes tyre Fatmir Limani, Arben Fetai, i cili tashmë ka dhënë dorëheqje, Cvetan Tripunovski, Azir Aliu, Igor Filkov, Borko Ristovski, Zoran Ljutkov dhe Shaban Saliu.

Rikonstruktimi pritet të finalizohet deri më 1 korrik, pas takimeve të reja mes partnerëve qeveritarë. Më pas, kryeministri duhet ta dorëzojë propozimin për përbërjen e re qeveritare në Kuvend.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka deklaruar se sapo propozimi të arrijë në Parlament, ai menjëherë do të vendoset në procedurë. Sipas informacioneve nga brifingjet, për shkak të numrit të madh të ministrave që mund të ndërrohen, procedura mund të zhvillohet si zgjedhje e një qeverie të re, pasi ndryshimet pritet të prekin më shumë se një të tretën e përbërjes aktuale. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter