F1/ Hamilton fiton zemrat te Ferrari, ish-inxhinieri e krahason me Shumakerin!

featured
Press Online
25 Qershor 2026, 03:22

Luis Hamilton është si dielli, pëlqehet nga të gjithë. I fundit që ka folur me entuziazëm për shtatë herë kampionin e botës është Rob Smedlej, ish-inxhinieri i Ferrarit. Smedlej kaloi dhjetë vite në Maranelo dhe vazhdon të mbajë kontakte të ngushta me ish-kolegët e tij. Pikërisht nga këto biseda kanë dalë edhe disa detaje interesante për Hamiltonin.

“Janë të gjithë shumë të lumtur me të. Jam pjesë e disa grupeve në komunikim me ish-kolegët e mi dhe mund të them se janë fjalë për fjalë në qiellin e shtatë për Luisin. E adhurojnë”, deklaroi Smedlej.

Por britaniku 52- vjeçar shkoi edhe më tej në vlerësimet e tij: “Kemi folur për mundësinë që kjo të shndërrohet në një histori të ngjashme me atë të Mikael Shumakerit. Nëse Luis arrin të marrë plotësisht kontrollin e makinës, të ringrejë ekipin dhe të nisë të fitojë gara, ai mund ta udhëheqë Ferrarin drejt titujve botërorë. Atëherë do ta adhurojnë edhe më shumë”. Duke folur në podkastin “High Performance Racing”, Smedley analizoi fitoren historike të Hamiltonit në Barcelonë dhe ndikimin që rikthimi i tij në formë po jep te Ferrari. Megjithatë, krahasimi me Shumakerin nuk ishte tema e vetme. Ai komentoi edhe duelin e brendshëm me Sharl Lëklerkun.

“Hamilton po përmirësohet vazhdimisht dhe mendoj se aktualisht balanca nuk është në favor të Lëklerkut. Luis ka qenë dukshëm përpara tij në garat e fundit”, tha ish-inxhinieri i Ferrarit. Sipas tij, situata mund të balancohet më shumë në fund të sezonit, por ai vazhdon të besojë se britaniku do të dalë fitues në këtë përballje.

“Në fund të sezonit raporti i forcave do të jetë më i ekuilibruar, por unë mendoj se Luis do të ketë epërsinë. Nëse shikojmë nivelin e performancës mes dy pilotëve, aktualisht është Luis ai që po e mban ekipin të bashkuar. Nga gjithçka që lexoj në mediat italiane ose dëgjoj nga miqtë e mi te Ferrari, të gjithë e adhurojnë dhe e vendosin në një piedestal”, shtoi ai.

Smedlej ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në Formula 1 dhe ka qenë gjithashtu inxhinier piste i Felipe Masas. Për këtë arsye, vlerësimet e tij kanë peshë të veçantë në botën e motorsportit. Britaniku beson se triumfi i parë mund të shënojë fillimin e një “historie të stilit Shumaker”, duke kujtuar serinë legjendare të pesë titujve radhazi që gjermani fitoi me Ferrarin.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter