Ekzekutohen shtesat prej 100 eurosh për studentët

featured
Press Online
25 Qershor 2026, 19:43

Janë ekzekutuar shtesat e njëhershme prej 100 eurosh për studentët, ka njoftuar ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

Këto mjete janë ndarë në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, e cila synon të mbështesë kategoritë e ndryshme të qytetarëve përballë rritjes së çmimeve.

“Pas pranimit të verifikimeve të nevojshme nga institucionet e arsimit të lartë, komisioni verifikues sot ka finalizuar dhe dorëzuar listën e studentëve që janë kualifikuar për mbështetjen e njëhershme me 100 euro”, ka shkruar minsitri në detyrë, Murati.

Para dy javësh u ekzekutuan nga 100 euro mbështetje edhe për punëtorët e sektorit privat. Nga mbështetja që buxhetit i ka kushtuar rreth 25 milionë euro, kanë përfituar ata punëtorë që kanë të ardhura mujore bruto jo më shumë se 1,000 euro.

Kostoja e të gjitha shtesave prej 100 eurosh që u ndanë nga Qeveria në mbledhjen e 22 majit është 105 milionë euro.

Afro 73 milionë euro janë ndarë për mbi 322 mijë përfitues të skemave sociale e për mbi 405 mijë fëmijë.

Kurse, për 70 mijë studentë janë ndarë 7 milionë euro.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter