Misioni monitorues i WBIF-it: Hoxha prezantoi progresin e projekteve kyçe mjedisore të mbështetura nga BE-ja

featured
Press Online
24 Qershor 2026, 14:35

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, prezantoi sot ecurinë në realizimin e projekteve kyçe mjedisore para anëtarëve të misionit monitorues të WBIF-it (Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor).

Në sektorin e ujërave, ministri vuri theksin te ndërtimi i Stacionit për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup, si projekti më i madh i infrastrukturës ekologjike në vend, i cili mbështetet nga Banka Evropiane e Investimeve, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor – WBIF. Ai përmendi gjithashtu stacionet e përfunduara me sukses në disa qytete, punimet që po vijojnë aktualisht në Manastir dhe Tetovë, si dhe përgatitjen e projekteve të reja.

Sa i përket menaxhimit të mbetjeve, ministri vlerësoi progresin e arritur drejt ngritjes së sistemit rajonal, i cili mbështetet nga BERZh-i, WBIF-i dhe fondet IPA. Ky sistem do të mundësojë një trajtim modern të mbetjeve, rritje të shkallës së riciklimit dhe kompostimit, zvogëlim të sasisë së mbetjeve që përfundojnë nëpër deponi, si dhe një bashkëpunim më të fortë ndërkomunal.

Paralelisht, po punohet për fuqizimin e kapaciteteve institucionale për zbatimin e projekteve, si dhe për një koordinim të rregullt me të gjithë partnerët. Në përmbyllje, Hoxha potencoi se Ministria mbetet plotësisht e përkushtuar për realizimin e suksesshëm dhe brenda afateve të këtyre projekteve, të cilat janë në interes të drejtpërdrejtë të të gjithë qytetarëve.

   

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter