Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka reaguar ldhur me raportin e Policisë së Kosovës për vetaksidentin tragjik të 14 qershorit në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku humbi jetën një pasagjere.
Sipas Bashës, hetimet policore kanë konstatuar se shkaktar i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit mbi automjetin nga drejtuesi i veturës, e jo gjendja e rrugës.
“Raporti zyrtar i Policisë së Kosovës tregon që në bazë të hetimeve profesuonale, drejtuesi i automjetit e ka humbur kontrollin mbi veturën, duke goditur fillimisht sinjalizimin rrugor dhe më pas elementet mbrojtëse anësore”, ka shkruar Basha.
Ai ka kritikuar akuzat e mëhershme të disa politikanëve dhe mediave, duke i cilësuar ato si raportime të pavërteta dhe të nxituara.
Reagimi i Bashës vjen pas debatit publik të zhvilluar javën e kaluar mes zyrtarëve të pushtetit qendror dhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. Ky i fundit kishte akuzuar Qeverinë në detyrë për neglizhencë në trajtimin e problemeve me rrëshqitjen e dheut në autostradë, duke thënë se qytetarët po paguajnë “me jetë dhe me taksa” pas ndarjes së 4.67 milionë eurove për sanimin e situatës.







