Veteranët e UÇK-së iu bëjnë thirrje protestuesve në Tiranë: Mos i keqpërdorni simbolet e UÇK-së për qëllime politike

featured
Press Online
23 Qershor 2026, 19:01

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), ka reaguar duke kërkuar që në protestat që po mbahen në Tiranë të mos përdoren simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke paralajmëruar për keqpërdorim politik të tyre.

Në një deklaratë të publikuar nga kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, thuhet se është e papranueshme që, sipas tij, individë apo grupe të caktuara të flasin në emër të UÇK-së apo të përdorin simbolet e saj për qëllime politike.

Ai thekson se “kauza e UÇK-së nuk mund të shndërrohet në instrument të agjendave politike të ditës apo interesave personale e partiake”.

OVL-UÇK i ka bërë thirrje organizatorëve të protestave në Tiranë që të garantojnë integritetin e tyre dhe të mos lejojnë, siç thuhet në reagim, keqpërdorimin apo vetëprezantimin e rremë në emër të ish-ushtarëve të UÇK-së.

Sipas Gucatit, UÇK-ja duhet trajtuar si pjesë e historisë së lirisë dhe sakrificës së popullit, jo për përfitime politike.

Reagimi i tij vjen pas paraqitjes së Dritan Goxhajt në protestë, i cili është prezantuar si ish-pjesëtar i UÇK-së dhe ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Ndërkohë, kryeministri Rama i është përgjigjur duke publikuar një video ku Goxhajn e ka cilësuar “asgjë më shumë sesa një zëdhënës i interesave të Iranit”.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter