Personat me aftësi të kufizuara ngrejnë zërin për të drejtat e mohuara

featured
Press Online
23 Qershor 2026, 10:59

“Ne nuk kërkojmë shumë – kërkojmë të na kthehen të drejtat që tashmë i kishim. Nga 80 orë asistencë personale, sot marrim 30 ose 40 orë. Vetëm gjatë periudhës së fundit kemi shtatë raste vdekjeje të personave që mbetën pa kujdestarë”, thotë Suaret Alishan nga Koalicioni “Ndryshojmë” për DW, përcjell PressOnline.al

Në prag të protestës paqësore të paralajmëruar më 25 qershor 2026, në orën 17:30, para Ministrisë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, nën moton “Për jetë dinjitoze”, Alishan thotë se personat me aftësi të kufizuara po përballen me probleme serioze: ndihma financiare vonohet, ndërsa numri i asistentëve personalë është gjithnjë e më i vogël.

“Ne nuk po luftojmë vetëm me aftësinë e kufizuar me të cilën jetojmë, por edhe me institucionet që nuk sigurojnë kushte dinjitoze për jetesë për personat që kanë nevojë për ndihmë dhe përkujdesje nga të tjerët”, thonë nga Koalicioni “Ndryshojmë”.

Ata kërkojnë takim urgjent me Qeverinë dhe paralajmërojnë se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, do t’i informojnë institucionet ndërkombëtare për shkeljen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, konkretisht nenin 19, të drejtën për jetë të pavarur, dhe nenin 28, të drejtën për jetë dinjitoze.

Personat me aftësi të kufizuara prej vitesh përballen me pasiguri në realizimin e të drejtave të tyre. Të drejtat që duhet të garantojnë jetë të pavarur, përfshirje sociale dhe mundësi të barabarta shpesh vonohen, zvogëlohen ose nuk zbatohen fare.

Ndër problemet kryesore janë shkurtimi i mjeteve për përfitime sociale, vonesat në pagesën e kompensimeve, ulja e orëve për asistentë personalë, pengesat administrative dhe mungesa e mbështetjes institucionale. Sipas Koalicionit “Ndryshojmë”, këto nuk janë vetëm çështje administrative, por çështje të të drejtave themelore të njeriut.

Maqedonia e Veriut ka marrë obligime përmes Kushtetutës, ligjeve dhe Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, që të sigurojë jetë të pavarur, pjesëmarrje të plotë në shoqëri dhe mbrojtje të barabartë të të drejtave. Megjithatë, sipas aktivistëve, këto obligime nuk zbatohen në mënyrë konsekuente.

Për këtë arsye, Koalicioni “Ndryshojmë” kërkon kthimin urgjent të 80 orëve asistencë personale, pagesë të rregullt dhe në kohë të kompensimeve, heqjen e pengesave administrative për angazhimin e asistentëve dhe miratimin e një ligji gjithëpërfshirës për asistencën personale.

Gjithashtu kërkohet pagesa urgjente e të gjitha mjeteve të prapambetura, rritja e përfitimeve dhe ndërprerja e praktikave të shkurtimit të mjeteve. Në periudhën e kaluar është kërkuar edhe miratimi i ligjit për regjistrin e personave me aftësi të kufizuara, reforma e Trupit Koordinues të Qeverisë, përmirësimi i sistemit të vlerësimit dhe zbatimi i Strategjisë Kombëtare 2026–2034.

“Nuk kërkojmë privilegje – kërkojmë të drejta. Kërkojmë mundësi të barabarta, jetë dinjitoze dhe mbrojtje sociale funksionale”, porosit Alishan. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter