Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, ka mbajtur një fjalim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, ku ka kritikuar qasjen e raportimit për sulmin në Banjskë dhe trajtimin e përgjegjësisë së Serbisë në këtë kontekst.
Gola ka përgëzuar raportuesit për raportin e paraqitur, duke vlerësuar se ai përmban rekomandime të rëndësishme që mund të ndihmojnë në procesin e demokratizimit të Serbisë. Megjithatë, ai ka ngritur shqetësime për, siç tha, trajtimin e pamjaftueshëm të shkeljeve të të drejtave të pakicave, veçanërisht të komunitetit shqiptar në Serbi.
Duke u ndalur te sulmi në Banjskë, Gola ka thënë se gjuha e përdorur në raport nuk e pasqyron saktë natyrën e ngjarjes, pasi ajo është përshkruar si një përplasje mes policisë dhe personave të armatosur serbë.
“Dëshiroj t’i përgëzoj raportuesit për këtë raport. Besoj se ai përmban shumë rekomandime të rëndësishme, adresimi i të cilave do ta ndihmonte Serbinë të demokratizohej. Përtej vëmendjes së pamjaftueshme që raporti u kushton shkeljeve afatgjata të të drejtave të pakicave, veçanërisht komunitetit shqiptar në Serbi, dëshiroj të ndalem te sulmi famëkeq në Banjskë.
Mendoj se gjuha e përdorur në raport nuk e pasqyron në mënyrë adekuate natyrën e këtij sulmi, duke e përshkruar atë thjesht si një përplasje ndërmjet policisë dhe personave të armatosur serbë. Në Rezolutën e tij për Banjskën, Parlamenti Evropian e përshkroi sulmin si vijon: ‘Një grup paramilitarësh serbë, të armatosur rëndë, kreu një sulm terrorist në veri të Kosovës’. Po ashtu, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, e dënoi atë si një ‘sulm terrorist të tmerrshëm dhe frikacak kundër zyrtarëve të Policisë së Kosovës’. Për më tepër, operacioni u udhëhoq nga Milan Radoiçiq, i njohur gjerësisht si një bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Vuçiq, i cili mori publikisht përgjegjësinë për sulmin që i mori jetën rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, duke lënë pas tre fëmijë të vegjël pa babanë e tyre. Ky sulm, zonja dhe zotërinj, zbulon disa të vërteta të pakëndshme për demokracinë dhe sundimin e ligjit në Serbi.
SË PARI, Serbia ende nuk e ka dëshmuar gatishmërinë e saj për të ndërtuar marrëdhënie normale, veçanërisht me Kosovën.
SË DYTI, në vend që të sigurojë llogaridhënie, ajo vazhdon t’i mbrojë përgjegjësit, siç dëshmohet nga fakti se Radoiçiq vazhdon të jetojë i lirë dhe nën mbrojtje në Serbi. Në këtë mënyrë, Serbia është shndërruar në shkelëse të vetë vlerave që Këshilli i Evropës është themeluar për t’i mbrojtur dhe promovuar. Prandaj, nëse synimi ynë është ta ndihmojmë Serbinë të demokratizohet, nuk duhet t’i zbusim apo t’i fshehim faktet e pakëndshme përmes një gjuhe neutralizuese. Prova e vërtetë e një shteti nuk është mënyra se si i përqafon të vërtetat e rehatshme, por mënyra se si përballet me të vërtetat e pakëndshme.
Dhe Banjska është një e vërtetë e tillë me të cilën Serbia, herët a vonë, do të duhet të përballet”, ka thënë Gola.







