Arifi kritikon paritë politike: Janë bërë si episodet e “Netflix” – aktorë të njëjtë, rezultat i parashikueshëm

featured
Press Online
23 Qershor 2026, 17:39

Analisti Dritëro Arifi ka kritikuar mënyrën se si po zhvillohet skena politike në Kosovë, duke e krahasuar atë me “episodet e Netflix-it”, ku, sipas tij, aktorët mbeten të njëjtë dhe rezultati është kryesisht i parashikueshëm.

Në FIVE në TV Dukagjini, Arifi ka thënë se pavarësisht ndryshimeve politike dhe zgjedhjeve, sjellja e partive vazhdon të jetë e njëjtë.

Sipas tij, problemi kryesor qëndron te mungesa e fokusit në reforma dhe në përmbajtje reale politike që lidhet me zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve.

Ai thekson se në vend të politikave konkrete, vëmendja e partive është e përqendruar te kalkulimet për pushtet.

“Jemi bërë sikur episodet e Netflix. Pra janë aktorët e njëjtë, loja është e njëjtë, rezultati pak a shumë është i parashikueshëm. Në krejt në këtë paparashikueshmërinë e parashikueshmërisë së të kuptimit të veprimit politik të partive në Kosovë, janë bërë edhe qesharake. Nuk ka seriozitet, është i njëjti mentalitet, është e njëjta qasje, i njëjti narracion. Pra ne do të duhej të flisnim për përmbajtje të reformave që duhej t’i bënim.

Por nuk ka kërkesa shumë nga qytetarët. Edhe elita politike nuk po i merr seriozisht qytetarët, sepse në mënyrën se si sillen pa llogaridhënie, edhe na tregon që nuk besoj që mund të kemi ndonjë rezultat konkret. E gjithë loja po luhet se kush po e fajëson kënd. Por rezultate të prekshme, reforma ku flasim për zhvillim, për mirëqenie për fat të keq nuk po shihet dhe nuk besoj se do t’i kemi”, ka thënë Arifi.

Në anën tjetër, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se do të nisë komunikimet me partitë e tjera politike sapo të certifikohet rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se shpallja e rezultateve përfundimtare po varet nga përfundimi i shqyrtimit të ankesave dhe procedurave ligjore në institucionet përkatëse.

Sipas rezultateve aktuale, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 53 deputetë, PDK 22, LDK 18 dhe AAK 7.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter