Analisti politik Ardian Bytyçi ka deklaruar se partitë opozitare në Kosovë janë përballur me një refuzim të vazhdueshëm nga qytetarët në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se ato janë “vetëpërjashtuar” nga skena politike përmes rezultatit zgjedhor.
Sipas tij, liderët e partive opozitare kishin krijuar bindjen se Lëvizja Vetëvendosje do të pësonte rënie të madhe të mbështetjes elektorale, por rezultatet e zgjedhjeve treguan të kundërtën.
“Liderët e subjekteve politike opozitare janë vetëpërjashtuar duke menduar se janë të vetë-mjaftueshëm dhe se Vetëvendosja do të binte ndjeshëm me vota. Më pas vetë u ofruan, duke u ndjerë se u vetëpërjashtuan me votë nga qytetari”, tha Bytyçi.
Ai vlerësoi se rezultatet e tri proceseve të fundit zgjedhore tregojnë mungesë të besimit qytetar ndaj opozitës.
“Në tri palë zgjedhje, subjektet opozitare kanë marrë deri në 19 për qind të votave, ndërsa LDK-ja ka lëvizur nga 13 deri në 16 për qind”, u shpreh ai.
Bytyçi tha se ky realitet politik ka ndikuar në qasjen e opozitës ndaj pushtetit, duke shtuar se në disa raste mund të shihet një afrim më i madh me kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
Megjithatë, ai vlerësoi se për formimin e qeverisë, Kurti nuk ka nevojë për mbështetjen e opozitës, pasi sipas tij siguron numrat e nevojshëm për të qeverisur, ndërsa procesi i zgjedhjes së presidentit do të jetë një sfidë e veçantë politike.
https://www.youtube.com/watch?v=t38F5K2Hhjg







